Kolegji Zgjedhor u mblodh këtë të premte për të shqyrtuar kërkesën e ish-deputetit Dashamir Tahiri, të cilit iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Relator në këtë çështje është Astrit Kalaja, ndërsa anëtarë të tjerë të trupit gjykues janë Sotiraq Lubonja, Gjin Gjoni, Ridvan Hado dhe Shkelqim Mustafa.
Të pranishëm në seancë si palë janë edhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
Në seancë, avokati i Tahirit e quajti vendimin e KQZ të parregullt pasi nuk ishte marrë me shumicë të cilësuar.
“I jemi drejtuar Kolegjit Zgjedhor pasi kështu parashikohet në Kodin Zgjedhor. Vendimi është marrë 4 me 3, kur duhej të merrej me shumicë të cilësuar”, tha avokati i Tahirit, Julian Mërtiri.
Por përfaqësuesja e Prokurorisë mbrojti vendimin e KQZ, madje sipas saj, nuk i takon Kolegjit Zgjedhor të shqyrtojë këtë çështje.
“Dashamir Tahiri nuk është subjekt që mund të vërë në lëvizje Kolegjin Zgjedhor pasi Kodi Zgjedhor e parashikon kush është subjekt dhe deputeti nuk është. Vendimi i marrë nga KQZ është në përputhje pasi nuk përcktohet që duhet marrë me shumicë të cilësuar”, thotë Prokuroria.
Dashamir Tahirit iu hoq mandati në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, ku u vërejt se ai në formularin e vetëdeklarimit nuk kishte vënë një vendim të gjykatës italiane për akuzën e falsifikimit të patentës.
Vetë Tahiri tha se nuk ishte në dijeni të këtij vendimi dhe shton se kjo akuzë nuk është subjekt në ligjin e dekriminalizimit.
“Atëherë nuk e dija. Jam njoftuar nga Prokuroria. Iu drejtova KQZ-së, bëra vetëdeklarimin e menjëhershëm dhe njëkohësisht po merrem në Itali me rrugë ligjore. Patenta nuk ka qenë asnjëherë false dhe për këtë kam marrë vërtetim dhe po merrem në Itali edhe për këtë çështje”, pretendon Tahiri.
13 janar 2017 (gazeta-Shqip.com) T.CH


