Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se Shqipëria ka sot potencialin për të përshpejtuar kalimin drejt universitetit 4.0, një model i ri i arsimit të lartë që ndërthur teknologjinë, fleksibilitetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Deklarata u bë gjatë prezantimit të Raportit të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, ku Manastirliu falënderoi anëtarët e Bordit për kontributin e tyre në përmirësimin e standardeve akademike dhe të proceseve të akreditimit.
“Dua të falënderoj për punën e tyre Bordin e Akreditimit, anëtarët të cilët na 4 vite në këtë detyrë vërtetë na kanë ndihmuar jo vetëm për të përmirësuar proceset e akreditimi, por na kanë vënë përballë një realitet tek i cili kemi mundësinë për të ecur më shpjet drejt një universteti 4.0, për të ndërtuar jo vetëm kampuse fizike por kampuse online me universitete në botë për të qenë të orientuar drejt avancimit të teknologji të zhvilluara,” u shpreh ministrja.
Ajo shtoi se puna e Bordit ka shërbyer jo vetëm për verifikimin e cilësisë, por edhe për përballjen me realitetin e sistemit aktual të arsimit të lartë dhe nevojën për transformim të thellë.
Ky vizion lidhet ngushtë me digjitalizimin e arsimit, ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare dhe integrimin e tyre në standardet evropiane të edukimit.