Politologu Bardhyl Mahmuti ka thënë se situata politike në Maqedoni për krijimin e qeverisë së re është e parashikueshme.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se dështimi i krijimit të koalicionit në mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së është një indikator i qartë se VMRO-DPMNE-ja nuk është e gatshme të heqë dorë nga diskriminimi i shqiptarëve. Por, sipas Mahmutit, BDI-ja nuk ka pranuar të bëhet pjesë e një qeverisjeje që nuk merr në konsideratë prioritetet e shqiptarëve në këtë shtet. “Situata aktuale në Maqedoni është e paparashikueshme, sepse kemi të bëjmë me forca ku politika dhe kriminaliteti janë gërshetuar në mënyrë të pazgjidhshme”, ka theksuar Mahmuti.
Ai ka thënë se tash, pas dështimit të Nikolla Gruevskit për ta formuar qeverinë, në aspektin ligjor mandati duhet t’i kalohet forcës së dytë politike. Megjithatë, sipas Mahmutit, në këtë situatë nuk duhet të përjashtohet asnjë hipotezë, madje as ajo e kthimit prapa, duke i dhënë një mandat të ri VMRO-së. “Në aspektin ligjor mandati duhet t’i kalohet forcës së dytë politike. Por, duke pasur parasysh faktin se Nikolla Gruevski kontrollon nga presidenti i vendit e deri te portieri i ndërtesave të institucioneve shtetërore, hipotezat e rrjedhave të mundshme të situatës më shumë i ngjasojnë ‘Lojës së kapuçave’ ku dominon rastësia për t’ia qëlluar a është ‘teste’ apo ‘bosh’ sesa ndonjë parashikim i mbështetur në kritere shkencore. Në këtë situatë nuk duhet të përjashtohet asnjë hipotezë, madje as ajo e kthimit prapa, duke i dhënë një mandat të ri VMRO-s. Unë nuk besoj se VMRO-ja, si organizatë e zhytur në të gjitha format e krimit, do të pranojë aq lehtë të mbetet jashtë qeverisjes”, ka deklaruar Mahmuti.
Por nëse LSDM-së i jepet mandati për ta formuar qeverinë me shqiptarët, ai ka thënë se një koalicion i tillë do të kishte gjasa të mira të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë shtet. “Të shohim se a do t’i jepet mandati LSDM-së për ta tentuar formimin e qeverisë. Nëse një gjë e tillë ndodh dhe në rast se kjo parti politike pranon realizimin e kërkesave të shtruara në deklaratën e përbashkët të tri partive politike shqiptare, koalicioni qeveritar do të kishte gjasa të mira të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë shtet. Unë jam skeptik për arsye se indoktrinimi i popullit maqedonas, me urrejtjen antishqiptare që është bërë për dekada të tëra, rrezikon që konfliktin ta bartë në rrugë”, ka vlerësuar Mahmuti. Ai u ka bërë thirrje partive shqiptare të jenë unifikuese rreth platformës së përbashkët të bërë publik në fillim të këtij viti të ri, në mënyrë që shqiptarët të dalin me fitore historike. “Mendoj se vetëm uniteti rreth platformës së përbashkët të bërë publik në fillim të këtij viti të ri dhe ndërprerja, së paku e përkohshme, e luftës brenda llojit, mund t’i rrisë gjasat që në këtë kontekst të rëndësishëm shqiptarët të dalin me fitore historike”, ka thënë Mahmuti.
“Epoka e re”: Z. Mahmuti, në Maqedoni dështuan bisedimet në mes të VMRO DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re, edhe pse fillimisht mediet raportuan për arritjen e një marrëveshje.
Mahmuti: Bisedimet që u zhvilluan për themelimin e qeverisë në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve të 11 dhjetorit 2016 dallojnë rrënjësisht nga bisedimet që janë zhvilluar në të kaluarën. Forcat politike maqedonase nuk duhet të harrojnë se më 7 janar 2017 “Bashkimi Demokratik për Integrim”, “Koalicioni Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët” dolën me një deklaratë që përcaktonte strategjinë e përbashkët për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet. Dështimi i krijimit të koalicionit në mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së është një indikator i qartë se VMRO-DPMNE-ja nuk është e gatshme të heqë dorë nga diskriminimi i shqiptarëve por, fatmirësisht, BDI-ja nuk ka pranuar të bëhet pjesë e një qeverisjeje që nuk merr në konsideratë prioritetet e shqiptarëve në këtë shtet. Të gjitha mediet që raportuan, për gjoja arritjen e marrëveshjes për qeverisje në mes këtyre dy partive politike, duhet të shihen si pjesë e strategjisë “lojë nervash” që u orkestrua nga VMRO-ja. Fatkeqësisht, në grackë të kësaj strategjie ranë edhe një numër politikanësh që u përshpejtuan ta përshëndesnin “marrëveshjen”.
“Epoka e re”: Me dështimin e krijimit të qeverisë Nikolla Gruevskit i ka skaduar afati kohor për ta formuar qeverinë e re. Tani nuk është e qartë nëse mandati për ta formuar qeverinë do t’i kalojë partisë së dytë për nga numri i deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. Si e shihni ecurinë e situatës në përpjekjet për ndërtimin e institucioneve pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar?
Mahmuti: Në aspektin ligjor mandati duhet t’i kalohet forcës së dytë politike. Por, duke pasur parasysh faktin se Nikolla Gruevski kontrollon nga presidenti i vendit e deri te portieri i ndërtesave të institucioneve shtetërore, hipotezat e rrjedhave të mundshme të situatës më shumë i ngjasojnë “lojës së kapuçave” ku dominon rastësia për t’ia qëlluar a është “teste” apo “bosh” sesa ndonjë parashikimi të mbështetur në kritere shkencore. Në këtë situatë nuk duhet të përjashtohet asnjë hipotezë, madje as ajo e kthimit prapa, duke i dhënë një mandat të ri VMRO-së. Unë nuk besoj se VMRO-ja, si organizatë e zhytur në të gjitha format e krimit, do të pranojë aq lehtë të mbetet jashtë qeverisjes. Situata aktuale në Maqedoni është e paparashikueshme, sepse kemi të bëjmë me forca ku politika dhe kriminaliteti janë gërshetuar në mënyrë të pazgjidhshme.
“Epoka e re”: Me sa shihet opsioni i parë i BDI-së për bashkëqeverisje me VMRO dështoi. Mbesin edhe katër opsione të tjera që janë bërë publike. A mendoni se mund të bëhet koalicion me LSDM-në, që doli forca e dytë politike në Maqedoni?
Mahmuti: Të shohim se a do t’i jepet mandati LSDM-së për ta tentuar formimin e qeverisë. Nëse një gjë e tillë ndodh dhe në rast se kjo parti politike pranon realizimin e kërkesave të shtruara në deklaratën e përbashkët të tri partive politike shqiptare, koalicioni qeveritar do të kishte gjasa të mira të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë shtet. Unë jam skeptik për arsye se indoktrinimi i popullit maqedonas me urrejtjen antishqiptare që është bërë për dekada të tëra, rrezikon që konfliktin ta bartë në rrugë.
“Epoka e re”: Sipas jush, cila do të ishte strategjia që duhet ta ndjekin shqiptarët në këto çaste?
Mahmuti: Mendoj se vetëm uniteti rreth platformës së përbashkët të bërë publik në fillim të këtij viti të ri dhe ndërprerja, së paku e përkohshme, e luftës brenda llojit, mund t’i rrisë gjasat që në këtë kontekst të rëndësishëm shqiptarët të dalin me fitore historike. Çdo nxitje e mosbesimit reciprok, sado që mosbesimi i ka rrënjët në të kaluarën e hidhur, nuk na shkon për shtati. Përkundrazi, na dëmton shumë.