Vera mbërriti e me të edhe sezoni i dasmave, që sjell me vete shumë kokëdhimbje të shkaktuar nga pyetjet si: cili restorant, sa të ftuar, cili është këngëtari më i shtrenjtë, cila meny, sa fustane duhet të vesh nusja gjatë një eventi, cilin model flokësh, me pajton a helikopter, me valltarë tradicional apo me nuse të mbuluara në para?
E shumë e shumë pyetje të tjera vërtet të kushtueshme, pjesa më e madhe e të cilave parashtrohet vetëm e vetëm për të kuptuar se çfarë do t’i linte pa fjalë të ftuarit, duke lënë paksa anash kënaqësinë personale apo edhe të çiftit, shkruan Almakos.
Disa prej tyre as që e kanë mundësinë ekonomike për shpenzime të tilla, por në këtë rast bën punë huaja apo kredija, ndonjëherë vetëm e vetëm që dasma t’i përflitet gjatë kohë nga të tjerët.
Për të ditur më saktë se çfarë preferojnë dhe sa janë të gatshëm të shpenzojnë dasmorët, biseduam me Qëndrim Zendelin, restoranti i të cilit, “ Ahengu” në Tetovë ,është ndër më të preferuarit.
Sipas tij, në biznes gjithçka paguhet, sa më shumë kërkesa, aq më i lartë është çmimi. Çmimi i menysë fillon nga 8 euro për person dhe ndryshon në bazë të preferencave të dasmorit për atë se çfarë dëshiron të servojë. Ai thotë se dasmorët më shumë preferojnë luksin në elementet e tjera të dasmës dhe më pak rëndësi i kushtojnë ushqimit.
E sigurisht si menaxhues i biznesit për shumë vite, nuk harron të cek edhe arsyet se përse “Ahengu” është ndër restorantet më të mira në rajonin e Pollogut.
“Gjatë vitit ka pothuajse 150 organizime, pjesa më e madhe gjatë sezonin të verës, kuptohet. Ka filluar të zhduket trendi i dasmave të mëdha, tani numri i të ftuarve varion nga 150-300.
Ne këtë sezon risi kemi vënien në funksion të dy sallave, një për 300 dhe një për 150 të ftuar, të mos harroj të cek, ka edhe parking të bollshëm. Vëmendje të madhe i japim gatimit. Gatimi është pasion, ai pasion reflektohet në shijen e asaj që ke gatuar, gatimi është art më vete”,- tha Qëndrim Zendeli, drejtor i restorantit “Ahengu”.
Në emërimin “Ahengu” edhe shkronjat kanë kuptim, A-ambienti i ngrohtë, H-haje tradicional, E-eleganc në sherbim, N-nivel profesional, G-gastronomi moderne, U-ujdi në çmim.
E kur jemi te ujdia, na vijnë në mendje rezervimet përpos të restoranteve, edhe të këngëtarëve, kameras, fotografit. Për këtë biseduam me Argjend Abdiun, drejtues i KOHA PRODUCTION.
Luksin, thotë ai për Almakos, më shumë e preferojnë gurbetqarët, ndërsa të tjerët përpiqen që me gjendjen financiare që kanë të krijojnë diçka të bukur. Zemra e veshi ju duan zërat më të shtrenjtë, pagesa për të cilët arrin deri në 6500 euro, ndërsa çmimi më i ulët është 500 euro.
“Më të shtrejtë janë: Shkurte Gashi, Sinan Hoxha, Meda Sinan Vllasaliu, Labinot Tahiri, Mahmut Ferati me Shyhrete Behlulin. Më shumë kanë filluar t’i rezervojnë këngëtarët përmes produksioneve, sepse kanë më shumë siguri kështu. Sa u përket kërkesave për aspektin teknik, deri para dy vjetësh kanë kërkuar vetëm kamer, ndërsa tani kërkojnë, kran, dron full HD, videosesione, fotosesione, pra rreth 30% e dasmorëve kërkojnë paketin e plotë. Tre vitet e fundit gjatë secilit sezon numri i dasmave rrotullohet tek 105. Me përgjegjësi dhe profesionalizëm kemi realizuar këto evente”- tha Argjend Abdiu drejtues i PRODUKSIONIT KOHA për Almakos.
Për 25 vjet, me një staf professional prej 20 personash, ky produksion ka marrë përsipër të realizojë dasma të drejtuesve të Ekologut, Renovës etj, në disa raste duke siguruar edhe helikopter për marrjen e nuses.
Megjithatë edhe pse tashmë kemi kaluar në faqen e dytë të tekstit, ende nuk janë përmendur të gjitha.
Valltarë tredicional.
Është ky trendi që u vu më shumë në theks gjatë këtyre tre-katër viteve të fundit.
Se kërkesat janë të larta, edhe për këtë detaj që e bën më interesant eventin, tregon edhe drejtuesi i grupit të valltarëve tradicional “ Shqiponjat”, Fevzi Ebipi. Të formuar si grup jo shumë vite me parë, kanë arritur të bëhen ndër më të kërkuarit për shkak të programit që ofrojnë.
“Vitet e fundit, sidomos këto 4 vitet e fundit, interesimi i dasmorëve për të përfshirë në gëzimet familjare grupe valltaresh është shtuar shumë. Dasmorët, sidomos ata që kanë më të theksuar ndjenjën kombëtare, nuk kursejnë tek valltarët. Këtë vit kemi edhe më shumë kërkesa, por që të mos zhgënjejmë askënd, kemi edhe më shumë kapacitet”- tha Fevzi Ebipi, drejtues i SHKA “Shqiponjat’’ për Almakos.
Ebipi shton se krenohen me faktin që dasmorëve munden t’u dhurojmë kujtime të bukura në ditët e tyre më të rëndësishme. Si artistë, thotë ai, mënyra se si dasmorët i presin, shton edhe më shumë emocionet dhe pasionin.
Kur vjen puna te anketat me qytetarët, gjithmonë është më e vështirë. Megjithatë në bisedë e sipër disa prej tyre, veçanërisht meshkujt, thonë se “janë në hall”, sepse nuk guxojnë ta dërgojnë nusën në dy dasma të ndryshme me fustan apo stilim flokësh të njejtë, e ndonjëherë edhe në të njejtën dasëm duhet t’i ndryshojnë.
Në fund të fundit pas gjithë kësaj, s’na mbetet gjë tjetër veçse të themi:
PËR GËZIME HARXHOFSHI DHE U TRASHËGOFSHI!
Evi Shkopi
Almakos.com