Në një intervistë, deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi ka folur për mbështetjen Kosovës dhe Shqipërisë.
Kamberi thotë që përkrahja për Luginën është e mirëseardhur, por ende e pamjaftueshme përballë shtypjes së vazhdueshme.
Ai veçon Kosovën për të cilën thotë se ka qenë e qëndrueshme në ndihmë, por fondet po bllokohen nga autoritetet serbe dhe disa faktorë lokalë.
“Çdo përkrahje është e mirëpritur, por në raport me sfidat e mëdha që përballemi, ajo shpesh rezulton e pamjaftueshme. Për një komunitet vazhdimisht të shtypur siç janë shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkrahja sado e vogël që të jetë është e mirëseardhur në njërën anë, ndërsa sado e madhe që të duket se është, është e pamjaftueshme në anën tjetër. Megjithatë, Kosova dhe Shqipëria janë prezente në Luginë dhe ndihma financiare, veçanërisht nga Qeveria e Kosovës me linjë të veçantë buxhetore, ka qenë e qëndrueshme.
Për fat të keq, një milion euro të dedikuara për bujqit nga Qeveria e Kosovës po mbahen të bllokuara nga autoritetet në Serbi, me ndihmën e disa akterëve politikë lokalë. Ajo që shqiptarët e Luginës presin është unifikimi i politikave të Prishtinës dhe Tiranës dhe hartimi i një platforme të përbashkët për mbështetjen e Luginës. Ne kemi sytë kah kryeqytetet tona kombëtare”, ka thënë ai për “Bota sot”.