Të fshehura pas një mbulese të gjelbër e të pluhurosur, nga dyqani dhe depoja e Kateryna Kolmykovas kanë mbetur vetëm rafte metalike të djegura e të shtrembëruara dhe hi.
Kur tregu, ku ndodheshin lokalet e saj, u godit nga një sulm rus me dronë dhe raketa më 16 qershor, ishte hera e dytë që Kolmykova humbi një biznes për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Katër vjet më herët, ajo dhe bashkëshorti i saj, Maksymi, ishin detyruar të linin pas zinxhirin e tyre të suksesshëm të dyqaneve në Mariupol, teksa qyteti sulmohej nga forcat ruse, të cilat e shkatërruan atë përpara se ta pushtonin.
“Kjo ishte jeta jonë e kaluar, pas rifillimit tonë të dytë”, tha ajo, teksa shikonte rrënojat e dyqanit të pajisjeve shtëpiake që së bashku me bashkëshortin e saj kishin hapur pasi ishin zhvendosur në Kiev.
Tani, çifti duhet të ndërtojë gjithçka nga e para edhe një herë.
Mariupoli: Nga ëndrra në makth
Para nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, çifti kishte tetë dyqane në Mariupol, qytetin ukrainas në bregdetin e Detit Azov. Maksymi shiste pajisje elektroshtëpiake, përderisa Kateryna merrej me shitjen e çantave të dorës.
“Nganjëherë më duket sikur kjo nuk më ka ndodhur mua. Dyqanin tim të parë të madh e hapa në vitin 2015. Më pas, në vitin 2018, hapa të dytin në qendër të qytetit. Ishte një ëndërr”, tha ajo. “Punonim dhe e dinim për çfarë po punonim. Ishte ajo periudhë kur fëmijët po rriteshin. Biznesi ishte i qëndrueshëm. Kishim para. Kishte ardhur koha të jetonim edhe për veten. Dhe, pikërisht këtë kishim planifikuar të bënim”.
Ajo po ashtu performonte në një teatër lokal dhe shijonte plazhet e Mariupolit. Por, ajo jetë e mbushur me ëndrra dhe plane u shkatërrua nga lufta.
Forcat ruse përparuan drejt qytetit të Mariupolit dhe e rrethuan atë, ndërsa forcat ukrainase u kurthuan në kompleksin gjigant metalurgjik të Azovstalit. Artileria ruse bombardonte qytetin pa dallim, duke i shndërruar lagjet e banuara në rrënoja dhe duke vrarë mijëra njerëz.
“Gjëja më e frikshme nuk ishte ajo që shihnim, por ajo që dëgjonim”, tha Kolmykova.
“Me gjasë do të më mbeten në kujtesë gjithë jetën. Kur një shtëpi digjet dhe dëgjon njerëzit duke bërtitur. Nuk ka zjarrfikës, nuk ka mjekë… dëgjon britmat e fqinjëve të tu, të cilët po digjen për së gjalli. Dhe nuk mund të bësh asgjë”.
Në mars të vitit 2022, familja u largua nga Mariupoli teksa luftimet vazhdonin. Fillimisht u drejtuan për në Ukrainën perëndimore, për t’u vendosur më pas në Kiev.
Një ndarje e dhimbshme
Kolmykova humbi shtëpinë dhe biznesin e saj, por më e keqja ende nuk kishte ndodhur: lamtumira me djalin e saj 14-vjeçar. Çifti vendosi ta dërgonte atë larg Ukrainës së shkatërruar nga lufta, në Izrael, që të vazhdonte shkollimin. Më pas erdhi 7 tetori i vitit 2023.
“Ishte një tronditje për mua, sepse e dërgova larg dhe pranova dhimbjen e ndarjes që ai të ishte i sigurt. Jeta ime u shemb. Për rreth një muaj e gjysmë nuk isha vetvetja. Mora ndihmë nga psikiatër dhe psikologë”, tregoi Kolmykova.
Pas përfundimit të shkollës, djali i saj u përball me zgjedhjen nëse do të kthehej në Ukrainë apo të qëndronte në Izrael. Ai zgjodhi të qëndrojë. Tashmë shtetas izraelit, ai shërben në Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
Pushtimi rus ka ndarë qindra mijëra familje ukrainase dhe më shumë se pesë milionë ukrainas janë larguar nga vendi, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.
“Të vetmen gjë që nuk do t’ia fal kurrë Rusisë është se na ka vjedhur kohën”, tha Kolmykova.
“Ata e detyruan djalin tim të rritej para kohe dhe tani po ua marrin kohën prindërve të mi, të cilët po plaken… Thonë se duhet të falësh. Këtë nuk do t’ua fal kurrë”.
Një fillim i dytë
Që kur u larguan nga Mariupoli, ajo dhe bashkëshorti i saj kanë jetuar me qira në 15 banesa të ndryshme.
“E kupton se nuk ke as një peshqir, as çarçafë, as një pjatë ku të hash, asgjë”, tha Kolmykova.
Çifti është në mesin e afër gjysmë milioni personave të zhvendosur brenda Ukrainës që jetojnë në Kiev. Rreth 20.000 prej tyre janë zhvendosur nga Mariupoli. Strehimi mbetet një problem i madh për shumë prej tyre, çështje që autoritetet ruse përpiqen ta shfrytëzojnë.
“Më telefonuan nga Mariupoli dhe u përpoqën të më bindnin se sa i madh është [presidenti rus, Vladimir] Putini, sa e madhe është Rusia. Se Mariupoli po zhvillohej dhe se do të bëhej si një Las Vegas i ri”, tha ajo.
“Ka njerëz që janë kthyer nga dëshpërimi. Është për keqardhje. Ne kemi nevojë që ata të jenë në anën tonë”, tha ajo.
Banesa e vjetër e Kolmykovas në Mariupol është djegur pjesërisht dhe pritet të rrënohet. Çifti e nisi jetën nga e para në Kiev. Ajo fitonte të ardhura duke interpretuar në teatër, ndërsa Maksymi punonte si shofer kamioni.
Tre vjet më parë, ata iu rikthyen biznesit duke hapur një dyqan të ri. Ai pati sukses, i ndihmuar edhe nga videot humoristike promovuese që Kolmykova publikonte në internet, duke fituar gradualisht një bazë të klientëve besnikë.
Natën e sulmit, një prej këtyre klientëve i dërgoi Kolmykovas një fotografi të dyqanit të përfshirë nga flakët. Çifti u nis menjëherë drejt vendit të ngjarjes.
“Kisha vetëm një frikë: ky është burimi im i vetëm i të ardhurave. Si do ta paguaj qiranë e banesës? Duhet ta paguaj deri më datën një të muajit”, kujtoi ajo.
Kolmykova incizoi, mes lotësh, një video pranë tregut që po digjej, ku tha: “Është dëshpëruese ta nisësh gjithçka nga e para pas Mariupolit. Por, herën e dytë nuk dhemb aq shumë”.
Një muaj më vonë, ajo tha se i vinte keq për gjithë kohën dhe energjinë që kishte investuar për të ngritur një biznes të ri, dhe më pas ta humbiste sërish. Megjithatë, ajo tha se mbetet “optimiste”.
Tashmë, çifti po shet atë që ka mbetur nga malli që ruhej në banesën e tyre ose që priste të dërgohej në zyrën postare. Ata thanë se, pas sulmit, kanë marrë mijëra mesazhe mbështetjeje, madje edhe donacione.
Sipas Kolmykovas, kjo do të thotë se ajo nuk ka të drejtë të dorëzohet.
“Njerëzit na thonë: ‘Ju jeni një familje e fortë, gjëja më e rëndësishme është se jeni gjallë’. Thonë se Zoti nuk u jep njerëzve sprova më të mëdha sesa mund të përballojnë”, tha ajo. “Por, për çfarë më duhet kjo forcë? Për çfarë po më përgatit Ai?”./REL



