Luan Rama do të jetë kryetari i ri i Grupit Parlamentar të LSI-së. Vendimi është marrë pas propozimit që Petrit Vasili, i cili e mbante deri sot këtë post, të emërohet në krye të Ministrisë së Drejtësisë. Vasili zëvendëson në ministri Ylli Manjanin, i cili u shkarkua sot nga kryeministri Edi Rama.
Kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Erisa Xhixho, në një prononcim për mediat bëri me dije se kryesia e partisë ka propozuar Petrit Vasilin si pasardhës të Ylli Manjanit.
“Sot paradite, kryeministri Edi Rama njohu kryetarin e Kuvendit, Ilir Metën, me iniciativën e tij për lirimin nga detyra të ministrit të Drejtësisë, zotit Ylli Manjani. Ilir Meta zhvilloi një takim me kryesinë ekzekutive të LSI-së për ta informuar në lidhje me iniciativën e kryeministrit Edi Rama. Në takim u konkludua që LSI-ja të propozojë zotin Petrit Vasili si ministër i Drejtësisë, bazuar edhe në rolin e tij si anëtar i komisionit të Reformës në Drejtësi. Duke shpresuar në këtë mënyrë për koordinim më të mirë të punës dhe bashkëpunim politik brenda qeverisë”, deklaroi Xhixho.
Gjithashtu, Xhixho njoftoi se kryesia ekzekutive propozoi zotin Luan Rama për kryetar të grupit parlamentar të LSI-së.
Luan Rama është një prej politikanëve më aktiv të LSI, kryesisht në debatet në media.
30 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)