Ambasadori Donald Lu ka shpërthyer sërish në akuza ndaj sistemit të drejtësisë. Ai ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, duke deklaruar se është kundër reformës në drejtësi.
“Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj, ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor, prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPKI, që është jetik për Vettingun. Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë do mbështesin përpjekjet e tyre”, tha ambasadori.
Në lidhje me shortin për KED-në, ambasadori amerikan tha se Prokurori i Përgjithshëm dërgoi në short 3 kandidatë për 3 poste, duke shkelur kështu Kushtetutën, që thotë se anëtarët duhet të përzgjidhen me short.
“Fatmirësisht, ata ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e hartuan këtë reformë parashikuan që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin këshillat. Në Kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e këtij Këshilli të Emërimeve në Drejtësi duhet t’i nënshtrohenmenjëherë vetingut. Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen këtë javë, në vend që të përballeshin të parët me vetingun. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse Komisionet e Vetingut do t’i përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do ta kalojnë procesin e vetingut”, theksoi Lu.
2 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)