VMRO DPMNE ka thënë atë që kishte për të thënë gjatë 11 viteve sa qeverisnin Republikën e Maqedonisë dhe shteti është në këtë gjendje pikërisht për shkak të qeverisjes së atillë të VMRO-së. Kështu tha zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, duke komentuar konferencën për shtyp të partisë së Gruevskit. Shilegov theksoi se principet në të cilat bazohen NATO dhe BE, të cilat ishin subjekt edhe i konferencës për shtyp të VMRO-DPMNE-së, janë sundim joselektiv i drejtësisë, shoqëri dhe shtet demokratik dhe dorëzim i qetë i pushtetit, në kuadër të proceseve demokratike, principe të cilat Shilegov thotë se po shkelen nga ana e VMRO-DPMNE-së.
“Nëse janë të sinqertë, këtë duhet ta zbatojnë. Ne jemi në një proces ku vetë jeni dëshmitarë se VMRO DPMNE në momentin në Kuvendin e Maqedonisë dhe nëpërmjet Gjorgje Ivanovit po ndalon proceset demokratike në Republikën e Maqedonisë. Nëse zotimet e tyre janë të sinqerta, do të duhet të pasojë procesi i dorëzimit të qetë të pushtetit në Republikën e Maqedonisë”, ka thënë Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.
Vendosjen e regjistrimit të popullsisë si një prioritet të Republikës së Maqedonisë nga ana e VMRO-DPMNE-së, Shilegov e cilëson si dyfytyrësi, duke thënë në momentin e krizës institucionale në të cilën ndodhet Maqedonia, nuk ka kush ta zbatojë atë regjistrim. Shilegov gjithashtu tha se VMRO e kishte rastin që të bëjë regjistrimin, por dështoi. Ndërkohë, në rast se zgjidhet Qeveria e re me në krye LSDM-në, Shilegov tha se do të bëhet edhe riformim i gjyqësorit të Maqedonisë.
“Qeveria e re reformatore, menjëherë pas zgjedhjes, do të propozojë vazhdimin e afatit në të cilin Prokuroria Speciale Publike do të mund të ngrejë padi për zbardhjen e skandalit me përgjimet dhe luftën e mëtejme kundër korrupsionit, krimit dhe keqpërdorimit të pushtetit. Menjëherë do t’i miratojmë ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve që i kërkoi PSP-ja, për të mundësuar hetime kualitative dhe përgjegjësi për të gjitha krimet dhe keqpërdorimet”, ka shtuar Shilegov.
Shilegov gjithashtu tha se në rast se zgjidhet, Qeveria e re do të sigurojë mbështetje më të gjerë për themelimin e repartit special në kuadër të gjykatës Shkupi 1, për trajtimin e lëndëve të Prokurorisë Speciale.
Abdulla Berisha /SHENJA/
LSDM: VMRO-DPMNE nuk ka më çfarë të kërkojë by tvshenjaofficial