LSDM-ja sot njoftoi se e pranon rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, por se fituesi përfundimtar i zgjedhjeve ende nuk është vendosur. Partia thekson se do të vazhdojnë të luftojnë për çdo qytetar, për një të ardhme progresive dhe evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Me të djathtët mund të përballemi me skenarë të errët nga e kaluara, të cilat do t’i japin fund perspektivave evropiane dhe do të çojnë në një izolim të ri të gjatë dhe ndarje të reja në shoqëri. Tashmë shihet se VMRO-DPMNE dhe BDI po bëjnë lojë të rrezikshme me strukturën multietnike të shoqërisë sonë. Tensionet që po bëhen tani mes maqedonasve dhe shqiptarëve mund të na kthejnë në të kaluarën e shëmtuar”, thuhet në deklaratën e partisë së Dimitar Kovaçevskit.
Kreu i partisë bëri të ditur se nuk do të heqin dorë nga fitorja e zgjedhjeve parlamentare.
“Dua t’ju inkurajoj që të flisni me secilin nga miqtë tuaj, të afërmit, fqinjët, deri në datën 8 maj, për të thënë se PO, ne e kuptojmë se ku kemi gabuar, se kemi një program dhe plan të qartë për t’i rregulluar të gjitha dhe gjithashtu të themi se ne jemi ajo parti që i siguruam të gjitha këto progresive për shtetin dhe që e çliruam shtetin nga kthetrat e vetëm një partie politike që kishte në dorë gjithçka për një dekadë të tërë”, tha dje Kovaçevski nga Çuçer Sandeva.(INA)