Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, iu përgjigj akuzave të LSDM-së për pronën e dhuruar Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, në të cilën, siç thekson opozita, Toshkovski ka banesë. Ai tha se ka pritur që sulmet të vijnë nga BDI pasi MPB-ja ka bërë kallëzim penal ndaj nipit të Ali Ahmetit, por, siç thotë ai, LSDM-ja është në rolin e mbrojtësit të krimeve të BDI-së. Edhe pse konkretisht nuk iu përgjigj akuzave se a ka banesë apo jo, ai tha se këto janë thjesht manipulime.
“Më vjen keq që dje u ngrit pluhur dhe publiku u manipulua në mënyrë kaq të ulët dhe të pacipë. Më besoni e vërteta do të dalë në shesh. Pres sulme, gënjeshtra dhe manipulime akoma më të ashpra në të ardhmen, por kjo nuk do të na lëkundet nëse secili prej të paprekshmëve, që publiku i njeh me emër e mbiemër, me prova dhe fakte që respektojnë prezumimin e pafajësisë, kryhet në kuadër të një procedure të përshtatshme procedurale para ligjit”, tha Pançe Toshkovski.
Deklaratës së këtillë të Toshkovskit reaguan nga LSDM prej ku thonë se ministri ka zgjedhur një mënyrë të keqe për të shmangur përgjigjen e çështjeve kyçe për skandalin me pronën e dhuruar Igor Janushevit në vlerë prej 325 mijë eurove në ndërtesë ku ai ka pronë të tij personale. Nga opozita pohojnë se ky rast me parcelën ku gjendet ndërtesa në të cilën janë banesat e Janushevit dhe Toshkovskit, daton që nga viti 2010 kur ka pasur proces të denacionalizimit dhe privatizimit.
“Është jo serioze për qytetarët deklarata e Toshkovskit se informacionet për këtë skandal janë ngritje pluhuri. Toshkovski duhet t’i përgjigjet opinionit për rolin e tij në këtë rast. Nëse Toshkovski dhe Janushev paraqiten si bashkëinvestitorë për ndërtim të përbashkët të ndërtesës në qendrën e Shkupit? Si, nga toka shtetërore bëhet tokë private, ndërrohen pronarët, pastaj ndërtohet ndërtesa e cila në fund bëhet prona e Toshkovskit dhe Janushevit?”, thotë LSDM
Për këtë rast nga Komisioni Antikorrupsion njoftuan se është formuar lëndë për shqyrtimin e pronës së sekretarit të përgjithshëm Janushev në bazë të denoncimit të dorëzuar nga Drejtoria për kundërzbulim financiar.