LSDM-ja vlerëson se të gjitha institucionet shtetërore po luftojnë kundër ndotjes. Partia në pushtet thekson VMRO-ja gjatë qeverisjes së tyre janë blerë vetëm makina të shtrenjta.
“Kriminelët e udhëheqësisë së VMRO-së kanë harxhuar paratë e qytetarëve për të blerë ‘Mercedes’ afërsisht 600 mijë euro, për t’i kënaqur dëshirat e kriminelit Nikolla Gruevski. Kanë harxhuar miliona euro për barok, përmendore luksoze dhe tenderë kriminalësh, derisa ndërtonin në mënyrë josistemike shkatërruan gjelbërimet”, vlerëson LSDM-ja.
Ata thonë se lufta me ndotjen e ajrit është bërë prioritet strategjik i qeverisë së LSDM-së, ndërsa paralajmërojnë subvencionim të makinave ekologjike.
Më heret gjatë ditës, VMRO-ja ka lëshuar një komunikatë ku thekson se qytetarët vazhdojnë të ngulfaten për shkak të paaftësisë së pushtetit lokal dhe qendror për t’u ballafaquar me ajrin e ndotur. Ata thonë se mijëra qytetarë çdo vit humbin jetën për shkak të ndotjes së ajrit.

