Pacientët e Klinikës për Onkologji sërish po përballen me mungesën e ilaçeve kyçe, nga të cilat varet drejtpërdrejt jeta e tyre, akuzojnë nga LSDM. Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari nuk është në dijeni të kësaj problematike, raporton SHENJA.
“Megjithëse Klekovski premtoi publikisht se nuk do të ndodhte më që të mungonin ilaçet, këtë javë mungon ilaçi biologjik “Palbosiklib”, ka mungesë edhe të ilaçit Bevacizumab (Avastin), terapi që e marrin një numër i madh pacientësh dy herë në muaj, terapi nga e cila varet jeta e tyre.
“Cili është arsyetimi i Klekovskit dhe Taravarit tani? Kush do të mbajë përgjegjësi? Në vend të zgjidhjeve konkrete dhe prokurimit në kohë, institucionet nën udhëheqjen e OBRM-PDUKM nuk janë në gjendje të sigurojnë ilaçe në kohë, njerëzit presin me muaj terapi. Kjo është një goditje direkte ndaj shëndetit të pacientëve për të cilët këto ilaçe janë jetike. Është e papranueshme në shekullin e 21-të të mos ketë akses të vazhdueshëm në terapinë bazë për ata që vuajnë nga sëmundjet më të rënda. Duhet të ketë përgjegjësi. Jeta e pacientëve me kancer nuk duhet të jetë viktimë e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie”, thonë nga LSDM.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari nga ana tjetër thotë se nuk është në dijeni që pacientët onkologjikë nuk kanë terapi.
Ai pohon se për një gjë të tillë nuk është informuar në mbledhjen e rregullt që mban çdo mëngjes. Për problemin e insulinës nga ana tjetër tha se është reaguar në mënyrë eksprese me aneks të marrëveshjes dhe është zgjidhur.
“Momentalisht nuk kam informacione që ka mungesë të ndonjë ilaçi në onkologji. Përgjithësisht janë të gjithë ilaçet”,tha Taravari.
Pacientët me kancer në Onkologjinë e Shkupit vazhdojnë të kenë mungesë të terapisë biologjike. Për momentin mungojnë dy terapi, kurse nga fundi janë edhe disa terapi të tjera.