Reagimet e nevrikosura të krerëve të VMRO-DPMNE-së tregojnë qartë se partia opozitare edhe më tej mbetet e prangosur në matricën e humbur të Nikolla Gruevskit dhe kërkesës për amnisti për krimet e bëra. Kështu thonë nga LSDM përmes një kumtese, informon MEDIAL.
Të fokusuar në kërkesat për amnisti, Hristijan Mickosi dhe krerët e VMRO-DPMNE-së plotësisht kanë humbur orientimin e veprimit dhe me shumë pakënaqësi përulën 600 mijë qytetarë duke i shpallur si jo relevantë.
“Nuk ka asgjë më jo relevante se sa vullneti i mbi 600 mijë qytetarëve. Qytetarët janë më të rëndësishmit. Vullneti i tyre në referendum u tregua qartazi, qytetarët tanë janë PËR një Maqedoni të integruar në BE dhe NATO”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Sipas partisë maqedonase në pushtet mbi 600 mijë qytetar i thanë PO përparimit dhe integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike. Të gjithë deputetët, të gjitha partitë politike tani duhet të respektojnë vullnetin e shumicës së qytetarëve dhe duhet të kyqen në proceset për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.