LSDM-ja ka reaguar përmes një komunikate për opinionin, duke kritikuar kryeministrin Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-në për aktivitetin e tyre në Gostivar.
“Dje Hristijan Mickoski dhe VMRO-ja festuan në Gostivar, në qytetin ku mbi 5.000 qytetarë u helmuan. Çfarë festuan? Helmimin? 22 ditë ujë me fekale? Pesë javë pa dokument për analizën e cilësisë së ujit?”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga partia opozitare akuzojnë Mickoskin se nuk ka treguar përgjegjësi morale ndaj situatës me ujin në Gostivar.
Sipas LSDM-së, pushteti ka festuar në një kohë kur qytetarët janë përballur me probleme serioze lidhur me cilësinë e ujit dhe pasojat shëndetësore.
Në reagim thuhet gjithashtu se, pavarësisht deklaratave se Gostivari nuk do të harrohet, institucionet nuk kanë treguar kujdesin e duhur ndaj qytetarëve.
Në fund, LSDM-ja thekson se qytetarët e Gostivarit nuk do ta harrojnë këtë situatë dhe mënyrën se si është menaxhuar ajo.



