LSDM-ja, përmes një komunikate, ka reaguar ndaj mënyrës se si pushteti shënoi heqjen e ndalesës për përdorimin e ujit të pijshëm në Gostivar, duke kritikuar mungesën e zyrtarëve më të lartë shtetërorë gjatë krizës.
“Dje në Gostivar pamë një skenë që do të mbahet mend. Politikanë dhe funksionarë ngrenë dolli. Pinë ujë para kamerave”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga partia opozitare rikujtojnë se ndalesa për përdorimin e ujit zgjati disa javë dhe pretendojnë se gjatë kësaj periudhe mijëra qytetarë kanë pasur probleme shëndetësore, ndërsa një pjesë e pacientëve janë hospitalizuar dhe janë dërguar për trajtim në Tetovë.
LSDM-ja kritikoi edhe mënyrën se si u demonstrua se uji është sërish i sigurt për pije, duke theksuar se para kamerave ujë piu drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov.
Sipas LSDM-së, ende nuk është publikuar një dokument që konfirmon se uji është i sigurt. Partia pyet gjithashtu pse fillimisht ishte paralajmëruar se rezultatet do të ishin të gatshme më 20 gusht, ndërsa më pas u njoftua se kushtet për heqjen e ndalesës ishin plotësuar më herët.
LSDM-ja kërkon nga Prokuroria kompetente të veprojë lidhur me kallëzimet penale të dorëzuara dhe të përcaktojë se mbi bazën e cilave analiza dhe dokumente është marrë vendimi se uji në Gostivar është i sigurt për pije.
“Kjo situatë kërkon përgjegjësi, jo cirk. Qytetarët nuk kërkojnë dolli. Qytetarët kërkojnë përgjegjësi”, porosisin nga LSDM-ja.



