Kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi, është zgjedhur nga shumica parlamentare në mënyrë ligjore dhe legjitime, në përputhshmëri me rregulloren, ligjet dhe Kushtetutën dhe e ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Kështu thuhet në kumtesën e LSDM-së, ku shtohet se vullneti i 700 mijë qytetarëve e shprehur në zgjedhjet, ka filluar të realizohet me zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, ndërsa do të vazhdojë me formimin e Qeverisë së re reformatore.
“Porosisim se askush nuk guxon të mendojë për bllokimin e punës së kryetarit të ri të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, që është vepër e rëndë penale, e dënueshme me ligj”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Nga LSDM thonë se me sjelljen racionale, shumica parlamentare e parandaloi tentimin e Nikolla Gruevskit, Gjorgje Ivanovit, Trajko Veljanovski, Mitko Çavkovit, për të shkaktuar përplasje ndëretnike që do të ishte bazë për Ivanovin që të shpallë gjendje lufte.
Nga partia e Zaevit gjithashtu bëjnë thirrje që qytetarët të jenë të qetë, pasi trazirat dhe dhuna janë në interes vetëm të Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij.