LSDM ka kërkuar sot nga Prokuroria Publike dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që të nisin procedura hetimore lidhur me një tender në vlerë prej 4 milionë euro, të ndarë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas LSDM-së, tenderi është fituar nga një kompani e dyshimtë, e regjistruar vetëm 20 ditë përpara shpalljes së tenderit, e cila nuk ka seli, nuk ka të punësuar dhe nuk ka përvojë paraprake në fushën përkatëse.
“Kur kompani të tilla, të cilat funksionojnë si fantazma, fitojnë kontrata milionëshe, atëherë kemi të bëjmë me baza për korrupsion sistemik, pikërisht në nivelet më të larta të qeverisjes”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
Partia thekson se ky rast përfaqëson “erën e korrupsionit”, veçanërisht kur ndodh brenda një institucioni që vetë duhet të jetë në ballë të luftës kundër korrupsionit.
“Institucionet nuk mund të jenë vetëm vëzhgues të heshtur. Prokuroria dhe Komisioni për Antikorrupsion duhet të veprojnë në përputhje me juridiksionin e tyre, të mbrojnë interesin publik dhe të sigurojnë drejtësinë. Tenderi duhet të anulohet menjëherë”, përfundon deklarata e LSDM-së.