LSDM ka njoftuar sot se qytetarët dhe tërë opinioni vendas, si dhe bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të hapur dhe të qartë janë të njohur me programin e qeverisë së re reformuese e cila e garanton unitetin e Maqedonisë, punën sipas Kushtetutës dhe integrimet euroatlantike. Në kumtesën e sotme LSDM thekson se shumica parlamentare është e gatshme ta riafirmojë para opinionit dhe para presidnetit Gjorge Ivanov, Programin e Qeverisë së re.
“Por, interesi i lartë i qytetarëve është që Ivanovi të veprojë në pajtim me Kushtetutën, të ndalojë me të gjitha justifikimet e paarsyeshme që kanë për qëllim tentimin për mbrojtjen e Nikolla Gruevskit nga drejtësia dhe menjëherë t’ia ndajë mandatin për përbërjen e Qeverisë së re, kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev. Qytetarët, komunat, institucionet kanë nevojë për stabilizim urgjent të shtetit”, theksojnë nga LSDM-ja.
Sipas partisë së Zaevit, çdo pengim i transfertës të qetë të pushtetit dhe çdo pengesë e shumicës legjitime parlamentare për të formuar Qeveri, sipas LSDM-së, është vepër kundër kushtetuese e cila dënohet me ligj.
“Themi se është e nevojshme që të gjithë të përfshihen në proceset demokratike për përparimin e shtetit. Qytetarët dhe tërë opinioni i vendit, si dhe bashkësia ndërkombëtare në mënyrë të hapur dhe të qartë janë të njohur me Programin e Qeverisë së re reformuese e cila e garanton unitetin e Maqedonisë, punën sipas Kushtetutës dhe integrimet euro-atlantike”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

