04 March
Pas vendimit të një ditë më parë të BDI-së për pjesëmarrje në Qeverinë e re me LSDM-në, nga partia e Zaevit deklarojnë se hapi i ardhshëm është transferimi i shpejtë dhe i qetë i qeverisë pa pengesa nga Gruevski dhe Ivanovi. Sipas tyre, nëse vullneti i shumicës së votuesve nuk respektohet tani, nuk do të respektohet as pas zgjedhjeve të reja.
Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja duhet ta pranojë konceptin e një shoqërie për të gjithë, që e përforcon unitetin e shtetit dhe sjellë jetë kualitative për qytetarët, në vend të ndarjeve fiktive. Proceset demokratike kanë filluar dhe vullneti i shumicës së qytetarëve i përkthyer në 67 mandate deputetësh duhet sa më shpejtë të realizohet me formimin e Qeverisë së re dhe institucione demokratike të pavarura – thonë nga LSDM-ja.
Nga VMRO-DPMNE-ja këmbëngulin për zgjedhje të reja, kurse platformën e partive politike shqiptare e konsiderojnë “shantazh” në dëm të shtetit.
Përderisa Zoran Zaev nuk është i sigurt në rejtingun dhe mbështetjen ndaj tij, vlerësojmë se duhet ta refuzojë platformën dhe të heqë dorë nga të gjithë elementet e saj të cilat çojnë drejtë formimit të shtetit binacional. Në këtë rast, VMRO-DPMNE do t’ia japë votat e saj LSDM-së për formimin e Qeverisë, siç e dëshiron ajo, por pa shantazhe dhe pranime të platformave që nxisin dëme afatgjata dhe e shndërrojnë Maqedoninë nga shtet multinacional në shtet binacional – bëjnë me dije nga VMRO-DPMNE-ja.
Por nga Kabineti i presidentit Gjorge Ivanov, njoftojnë se kreu i shtetit nuk ka ndërmend të heqë dorë nga vendimi i dy ditëve më parë. Në përgjigjen nga presidenca po ashtu si në reagimin e VMRO-DPMNE-së theksohet se platforma shantazhon Republikën e Maqedonisë.
Presidenti Ivanov nuk do të japë mandate secilit që bisedon për platforma të vendeve të tjera, me të cilat shantazhohet Republika e Maqedonisë. Presidenti vlerëson se me bisedimet për platforma pas-zgjedhore shkelet Kushtetuta e vendit. Qytetarët në zgjedhje votuan për reforma evropiane dhe jo për platforma pas-zgjedhore të vendeve të tjera – thuhet nga Kabineti i presidentit Gjorge Ivanov.
Lëvizja BESA pret zyrtarisht emërimin e mandatarit dhe ofertën që më vonë të marrë vendim nëse do të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm.
Numrat për Qeverinë i kanë LSDM, BDI dhe Aleanca. Nëse mandatari i ardhshëm na dërgon ofertë për në Qeveri atëherë komfor asaj oferte, organet e Lëvizjes BESA do të marrin edhe vendimin. Aktualisht jemi në pritje nëse kryetari i shtetit do ta tërheqë vendimin e tij – deklaroi Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA.
Të kontaktuar nga Alsat, nga Aleanca për Shqiptarët deklaruan se akoma nuk kanë marrë vendim përfundimtar nëse do të jenë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeveritar. Një vendim i tillë mund të pritet së shpejti.
Fatlume Dervishi