Interpelanca ndaj kreut të Kuvendit Talat Xhaferi nuk do ta ketë as votën e deputetëve të LSDM-së, edhe pse nga kjo parti, pajtohen se Xhaferi e ka shkelur Kushtetutën me fjalimin e tij në gjuhën shqipe në Parlamentin Evropian.
– Advertisements –
Të gjithë personat zyrtar të cilët përfaqësojnë institucionet, jashtë vendit duhet ta përdorin gjuhën maqedonase si gjuhë të vetme zyrtare jashtë kufijve të vendit. LSDM-ja nuk do ta mbështesë interpelancën kundër kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi për disa arsye. Njëra prej tyre është që interpelanca është jokushtetuese sepse në të nuk përdoret emri kushtetues i shtetit kurse e dyta është që LSDM-ja mendon se në periudhën e krizës dhe në përgjithësi, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka treguar performancë të jashtëzakonshme në drejtimin e Kuvendit – deklaroi Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Interpelanca u dorëzua nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe “Të Majtës” të cilët akuzuan kryeparlamentarin për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve pasi u drejtua në gjuhën shqipe në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian. Si arsye për këtë interpelanca radhiten edhe akuzat për mosrespektim e rendit dhe Rregullores në menaxhimin me ligjvënësin. Por, kjo nismë, për veç që nuk do ta ketë mbështetjen e deputetëve të BDI-së, nuk do ta ketë as mbështetjen e deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Këto paralajmërime tregojnë se miratimi i saj do të jetë i pamundur.
Qëllimi i interpelancës është që të bisedojmë për sjelljen e kryetarit të Kuvendit në atë ngjarje por është mirë të debatojmë edhe për sjelljen e përgjithshme të tij në Kuvend. Këtu përfshihet shkelje e shpeshtë e Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores. Do ta ndjekim votimin dhe numrat do të tregojnë nëse ka ose jo mbështetje për ndryshimin e tij. Do të shfrytëzohet mundësia për të kërkuar përgjegjësi politike nga ai -thonë nga VMRO-DPMNE.
Interpelanca është dorëzuar të hënën. Sipas Rregullores, subjekti të cilit i paraqitet interpelancë ka të drejtë të dorëzojë përgjigje me shkrim, më të së voni 15 ditë nga dita e pranimit të interpelancës. Interpelanca vendoset në rend dite në seancën e parë të ardhshme të Kuvendit, pas kalimit të 15 ditëve nga dita e dorëzimit të përgjigjes deri te deputetët. Nëse përgjigja nuk dorëzohet në afatin e paraparë me Rregullore, interpelanca vendoset në rend dite në seancën e parë të ardhshme.
Rregullorja për punën e Kuvendit
– SUBJEKTI TË CILIT I PARAQITET INTERPELANCË KA TË DREJTË TË DORËZOJË PËRGJIGJE ME SHKRIM.
– INTERPELANCA VENDOSET NË REND DITE NË SEANCËN E PARË TË ARDHSHME TË KUVENDIT, PAS KALIMIT TË 15 DITËVE NGA DITA E DORËZIMIT TË PËRGJIGJES DERI TE DEPUTETËT.
Kryetari i Kuvendit dhe kabineti i tij nuk kanë komentuar interpelancën e opozitës.
Fatlume Dervishi