Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i shoqëruar nga sekretari gjeneral i partisë, Oliver Spavovski, sapo ka përfunduar takimin me krerët e Lëvizes BESA, ne selinë e kësaj të fundit në Shkup.
Me gjithë insistimin tonë, lideri i LSDM-së mohoi të deklarohet se për çfarë konkretisht u bisedua në këtë takim, ndërkohë tha shkurt se bëhet fjalë për takim të zakonshëm, njëjtë sikurse do të realizojë dhe me partitë tjera shqiptare.
“Ishte një takim i zakonshëm paszgjedhor, ndërsa do të realizojmë takime të këtilla dhe me partitë tjera shqiptare”, tha shkurt Zaevi, duke mos pranuar të përgjigjet nëse tashme u ka dërguar ftesë për takim edhe BDI-së, Aleancës për Shqiptarët dhe PDSH-së.
Ja çfarë thotë Ibrahimi për takimin e sotëm me Zaevin
Nënkryetari i Lëvizjes BESA, njëherësh deputet, Zekirija Ibrahimi ka thënë për gazetën KOHA se takimi i sotëm me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev ka ndodhur spontanisht dhe i paplanifikuar më parë.
“Takimi me drejtuesit e LSDM-së është në frymën e takimeve që realizohen këto ditë për të ardhmen e shtetit. Megjithëse takimi ishte joformal, mund t’ju them se kemi këmbyer ide se si mund të kthehet vendi në agjendën euro-atlantike, se cili duhet të jetë kursi i shtetit në të ardhmen dhe se si mund të bëhet kjo. Ka qenë një takim për parimet e mundshme e një bashkëpunimi të ardhshëm pa ndonjë gjë konkrete”, është shprehur Ibrahimi.
**********
Nga disa portale bëhet e ditur se lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi, sot në selinë e Lëvizjes BESA në Shkup ka realizuar një takim me përfaqësuesit e kësaj partie. Ky takim ndodhë në kohën kur bëhen edhe kombinatorikat konkrete për formimin e qeverisë së re, mirëpo ajo që është risi në këtë rast është fakti se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që lideri i ndonjë partie politike maqedonase të shkojë në zyrat e ndonjë partie shqiptare për këso takime.
Praktikë e njohur në Maqedoni ka qenë që drejtori i shërbimit sekret t’i zhvillojë bisedimet për formimin e qeverisë, e jo bisedime të tilla të bëhen nëpër zyrat e partive shqiptare. Sa i përket praktikës së deritanishme, këto ditë në opinion qarkulluan zëra se ish drejtori i shërbimit sekret, Sasho Mijallkovi në Restorant Marakana ka realizuar takime ndaras me Musa Xhaferin dhe me Beqir Hasanin. Ky fakt edhe më tepër e fuqizon bindjen se LSDM-ja është duke e lutur Lëvizjen BESA që të bëhet pjesë e qeverisë edhe pse kjo e fundit disa herë publikisht e ka shprehur qëndrimin se janë përcaktuar për të qëndruar në opozitë.