LSDM ka bërë apel deri tek presidenti i shtetit Gjorge Ivanov dhe VMRO-DPMNE që të veproj me mend dhe në përputhshmëri me ligjin, në mënyrë që të mundësoj transferim të qetë të pushtetit.
Formimi i Qeverisë së re dhe zbatimi i reformave prioritare, sipas LSDM-së, është interesi i lartë shtetëror dhe çdo veprim në kundërshtim me interesat shtetërore është vepër penale e dënueshme me ligj.
“Atë që duhet ta bëj Gjorge Ivanov është të jep mandatin për formim të Qeverisë. Presidenti i ri i Kuvendit ka informuar Ivanovin se ka shumicë legjitime parlamentare dhe Ivanov është i obliguar të respektoj Kushtetutën”, vlerësojnë nga LSDM, transmeton SHENJA.
Ata poashtu kanë thënë se interesi personal i një grupi të vogël është arsyeja se përse VMRO-DPMNE me në krye Nikolla Gruevski shpik tema që nuk ekzistojnë.
“Ata e dinë më se partia është në opozitë dhe se shteti juridik do t’i shkurroj përfitimet personale. Këtë e dinë edhe anëtarësia e VMRO-DPMNE-së e cila duhet tani të reagoj dhe të tregoj se me rëndësi i kanë qytetarët dhe jo mbrojtjen e krimit”, kanë thënë nga LSDM.