Deputetja Jovana Trençevska dhe Aleksandar Trajanovski, i cili ishte kandidat i partisë për kryetar të komunës së Aerodromit, janë nënkryetarët e ri të LSDM-së. Vendimi u mor në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit qendror të partisë, kur LSDM njoftoi gjithashtu se Aleksandar Dimitrijeviq do të mbetet sekretar i përgjithshëm, ndërsa Lupço Farmakovski do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e sekretarit organizativ, në kuadër të rikonstruksionit të paralajmëruar partiak.
“Një pjesë e anëtarëve të Këshillit janë Dejan Nikollovski, më tej Jon Fërçkovski, drejtori aktual i qendrës për analizë në parti, anëtarët e deritanishëm Simona Cvetanovski, më tej Renata Mlladenovski, Petar Ognenoviq është anëtar i ri, Andrej Zhernovski dhe të tjerët do t’i ndajmë me publikun”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Sipas VMRO DPMNE-së, nuk ka asgjë të re në këtë udhëheqje të LSDM-së, duke thënë se ky është i njëjti kuadër i vjetër që nuk do të sjellë ndryshime të reja.
“Dejan Nikollovski, i punësuar në kabinetin e Zoran Zaevit dhe i ngarkuar për investimet e huaja, si dhe kryetar i deritanishëm i Këshillit qendror; pra kuadër i vjetër. Andrej Zhernovski, i kaluar nga PLD në LSD-në e Zoran Zaevit për funksion, diplomat i pasuksesshëm dhe skandaloz, kryetar komune i pasuksesshëm, ndërtues i pasuksesshëm kurse publiku nuk e mban mend për asgjë të mirë, por vetëm për përhapjen e panikut se do të shembej stadiumi që ende e kemi në Shkup, pra gjithashtu kuadër i vjetër”, u shpreh Valentin Manasievski, VMRO-DPMNE.
Në lidhje me rikonstruimin e LSDM-së, të paralajmëruar para zgjedhjeve, udhëheqja e vjetër dhe anëtarët e Këshillit qendror kohët e fundit dhanë dorëheqje, ndërsa partia formoi edhe një ekip antikorrupsion, për të cilin thonë se është krijuar nga kuadro të ri partiakë, dhe që do të ketë për qëllim të zbulojë skandalet e pushtetit. Gjithashtu, përmes platformës së prezantuar, LSDM thotë se çdo qytetar që ka dyshime për ndonjë krim të mundshëm do të mund ta denoncojë aty./ Alsat.mk


