Dhjetëra propozim-ndryshime ligjore po mbahen peng i pazarit mes VMRO DPMNE-së dhe shumicës parlamentare. VMRO DPMNE-ja mban peng Ligjin për rritjen e rrogës minimale, Ligjin për rritjen e rrogës së administratës publike dhe Ligjin për heqjen e taksës radiodifizive, të propozuar nga LSDM, ndërsa LSDM-ja mban peng propozim-ndryshimet e opozitës në Ligjet për përmbaruesit, për konkursin e emërimit të kryeprokurorit dhe për lëshimin e vauçerëve për studentë që të blejnë laptopë.
VMRO DPMNE-ja ishte decide se nuk do të votojë tre propozimet e shumicës parlamentare në qoftë se ata nuk premtojnë se do t’i përkrahin propozimet e tyre, por pavarësisht gjithçkaje ishin decid se nuk e votojnë shpalljen e konkursit për kryeprokuror dhe nuk pranojnë të emërohen pesë nënkryetar të Kuvendit.
ILIJA DIMOVSKI, DEPUTET I VMRO DPMNE-SË
“Nëse Qeveria i kërkon opozitës të jetë konstruktive, Qeveria ka të paktën dyfish më shumë obligim për të qenë konstruktive. Prandaj ne nuk po votojmë dhe e presim momentin kur shumica do të deklarohet për tre propozimet tona. Të mos i ndajmë ligjet në bazë të asaj se cila parti i ka propozuar, por të ndihmojmë edhe me rrogën minimale edhe tju dalim në ndihmë mbi 300 mijë qytetarëve që kanë problem me përmbaruesit”
Sipas Dimovskit, shpallja e konkursit për kryeprokuror të ri është anti-ligjore pasi jemi në periudhë parazgjedhore dhe kjo mund të merret si fushatë. Sa i përket pesë nënkryetarëve të Kuvendit që i kërkon Talat Xhaferi, nga VMRO DPMNE thanë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Maqedonisë dhe kjo do të ishte vetëm harxhim i panevojshëm i cili ka për qëllim vetëm kënaqjen e apetiteve të partnerëve të koalicionit.
Por, koordinatori i LSDM-së në Kuvend, Tomisllav Tuntev theksoi nevojën e votimit të këtyre ligjeve në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e të ardhurave të qytetarëve dhe në zbutjen e dallimeve klasore kur bëhet fjalë për largimin e padrejtë të punëtorëve të falimentuar.
TOMISLLAV TUNTEV, LSDM
“Nuk është rëndë të jesh dyfish konstruktiv kur ju nuk jeni konstruktiv. Deri tani nuk kemi parë kushedi çfarë konstruktiviteti prej anës suaj…Në emër të konstruktivitetit, do ta pranojmë propozimin tuaj për procedurë të përshpejtuar të këtyre tre ligjeve. Sigurisht që pasi t’i shqyrtojmë do të shohim se për çfarë bëhet fjalë në ato ligje, çfarë janë propozim ndryshimet në mënyrë që të kemi pjesëmarrje konstruktive në debat”
Opozita u ankua se prej që ka filluar punën Kuvendi, atyre thuajse nuk u është pranuar asnjë propozim dhe këtë e shohin si mangësi të pushtetit për të krijuar frymë konstruktive në Kuvend, ndërsa nga LSDM ju thanë se ata vetë kanë nisur me energji negative kundrejt pushtetit por do të bashkëpunojnë me ta në interes të qytetarëve. Ferikan Iljazi Arifi

