04 September
Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë zyrtarizuar bashkëpunimin në zgjedhje lokale. Grupet e punës nga dyja subjektet kanë sjell përfundimin që në rrethin e parë, subjektet të garojnë veç e veç, ndërsa në raundin e dytë degët të mbështesin njëra tjetrën. Nuk përjashtohet mundësia që deri në zgjedhje dy subjektet të bashkëpunojnë që në raundin e parë, por kjo sipas anëtarit të grupit negociues të Lëvizjes Besa, Shaban Zendeli është çështje që i takon degëve të partive.
Vendosëm që në këto zgjedhje të garojmë individualisht në rrethin e parë, me mundësi nëpër nivele lokale në kuadër të degëve mund të arrihet ndoshta një bashkëpunim edhe në raundin e parë. Ekziston vullneti i mirë që për raundin e dytë të kemi vullnetin e njëri-tjetrit, ndërsa me partitë tjera deri më tani nuk kemi pasur ndonjë bisedë konkrete- deklaroi Shaban Zendeli, Lëvizja Besa.
Bashkëpunimin e konfirmon edhe Aleanca për Shqiptarët. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari thotë se bashkëpunimi vlen edhe me partitë tjera shqiptare, varësisht marrëveshjes dhe nevojave të subjekteve politike në garë zgjedhore.
Jo vetëm me Lëvizjen Besa por me të gjitha partitë politike shqiptare. Mund të ndodh që në qytete të ndryshme të kemi bashkëpunimi të ndryshme. Në raundin e dytë në bazë të matematikave që do t’i kemi do të mundohemi të bashkëpunojmë me të gjitha partitë shqiptare. Mendojmë se ende është koha që shqiptarët t’i prezantojnë partitë shqiptare dhe jo ato maqedonase- deklaroi Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.
Besa dhe Aleanca theksojnë se deri më tani më partitë politike nga blloku maqedonas nuk kanë negociuar. Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët në Gostivar do të garojë me Arben Taravarin, ministrin aktual të shëndetësisë. Por, në këtë qytet kandidat do të kenë edhe RDK-ja e Vesel Memedit dhe Uniteti i Gëzim Ostrenit të cilat tashmë janë ndarë nga koalicioni me partinë e Selës. Ndërkohë partia e Ahmetit thonë se janë duke i shqyrtuar kandidaturat për kryetar në Tetovë, Gostivar, Strugë, Saraj, Likovë, Haraçinë dhe komunat e Pollogut. PDSH ndërkohë në Tetovë pritet të garojë me deputetin Bardhyl Dauti, ndërsa mbrëmë ka zyrtarizuar Bardhyl Destanin si kandidat për kryetar të Komunës së Likovës. LDSM së fundi ka caktuar edhe kandidatët për Haraçinë, Ohër, Gjorçe Petrov, Aerodrom, Butel, Gazibabë dhe Strumicë. Nga ana tjetër VMRO DPMNE-ja në Kumanovë garon me Zoran Gjorgjievskin ndërsa në Strumicë me Marjan Bajraktarov. Nga kjo parti thonë se po përfundojnë zgjedhjen edhe të kandidatëve të tjerë. Gara më e nxehtë pritet të jetë për Qytetin e Shkupit, për të cilën asnjëra nga partitë nuk ka zyrtarizuar kandidaturat edhe pse nga VMRO-japritet sërish kandidimi i Koce Trajanovskit. Kreu aktual i Komunës Qendër Andrej Zhernovski i ka grumbulluar firmat e nevojshme për kandidaturën e tij si i pavarur, por pret edhe një përgjigje nga LSDM-ja, nëse do të mbështesin apo jo edhe për një mandat. Partitë shqiptare ende nuk ka vendosur për kandidatët e tyre në kryeqendër. Partitë kanë afat deri më nëntë shtator t’i dorëzojnë listat e tyre për kandidatë për kryetar dhe këshillat komunale.
Adrian Kerimi

