Aromatizues dekorativ për vetura me logon e policisë shpesh mund të hasim në retrovizorin e brendshëm të veturave. E pikërisht këta shofer të këtyre automjeteve shpesh dinë të parkojnë në trotuare, aty ku nuk lejohet, apo ndonjëherë edhe në mes të rrugës.
Gjithashtu vendosja e jelekut reflektues në vend ku duket në veturë, bëhet me dije se kemi të bëjmë me një nëpunës trafiku policor dhe që vetura edhe nëse është parkuar gabim nuk duhet të preket. Kur behet fjalë për keqpërdorimet në emër të zyrtarëve policorë, së fundmi është keqpërdorur edhe distinktivi zyrtar i një polici nga i biri i tij. Jo më larg se dje, Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se ndaj një nëpunësi policor janë marrë masa disiplinore për këtë arsye.
“Pas masave të marra është konstatuar se F.H. më datë 21.03.2025, duke drejtuar automjetin privat, ka ndjekur një person tjetër dhe në afërsi të fshatit Smilkovë dhe kryqëzimit të Stajkovcit është prezantuar si punonjës policie dhe ka treguar distinktivin zyrtar të babait të tij. Duke vepruar kështu, F.H. ka sulmuar fizikisht personin, i cili më pas ka denoncuar ngjarjen në stacionin policor”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në lidhje me ngjarjen, Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se; SPB Shkup në bashkëpunim me prokurorin publik ka ngritur rast kundër F.H. ndaj të cilit do të bëjë kallëzim penal për dhunë.
Ndërkaq, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, ka konstatuar se punonjësi i policisë I.A.H., duke lejuar përdorimin e distinktivit të tij zyrtar për qëllime personale nga djali i tij, ka vepruar në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe do të paraqesë propozimin për procedurë disiplinore ndaj tij.