Shoqata për hulumtime dhe zhvillim “Llupa e gjelbër” vlerëson se vendit i nevojiten reforma urgjente në gjyqësor dhe përgjegjësi për të gjithë gjykatësit të cilët kanë shkelur ligjet. Sipas shoqatës, perceptimi i qytetarëve për gjyqësinë është tejet i keq, andaj në debate publike priten propozime konkrete nga opinioni për përmirësimin e gjendjes aktuale. Madje kërkuan edhe ndihmë juridike nga ekspertë, për të ngritur padi penale kundër presidentit, Gjorge Ivanov, për amnistinë e dhënë dhe për të prevenuar dhënien e një amnistie të re.
““Llupa e Gjelbër” publikisht ka kërkuar ndihmë nga ekspertë për përpilimin e padisë penale kundër kryetarit, Gjorge Ivanov, për amnistinë e kaluar që shkaktoi trazira serioze në shtet me qëllim që të prevenohet amnisti e re e cila mund të shkaktojë trazira të reja në shoqëri”,- tha Vane Cvetanov nga “Llupa e gjelbër”.
“Do i bëja thirrje Prokurorisë Publike në Maqedoni, e cila është e detyruar të reagojë kur në Maqedoni ndodhin raste të tilla, që kanë të bëjnë me sjelljen e personaliteteve publike dhe funksionarëve shtetërorë pa marrë parasysh përkatësinë partiake”,- u shpreh avokatja në “Justicia”, Olivera Docevska.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka sjellë qindra vendime për shkeljen e të drejtave të njeriut, por edhe pas këtyre vendimeve gjykatësit në fjalë nuk janë shkarkuar. Po ashtu janë parashtruar edhe padi penale për gjykatësit që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, por ende nga Prokuroria Publike nuk është marrë përgjigje. Nga “Llupa e Gjelbër” kërkojnë edhe propozim për shfuqizimin e nenit 27 të Kushtetutës dhe ndryshime ligjore për definimin e procedurave për konstatimin e përgjegjësisë së gjykatësve.
FLUTURA LATIFI