“Kanë mbetur edhe 10 ditë deri në përfundim të afatit të caktuar i cili është deri në 12 shkurt për ndryshimin e dokumenteve personale, ndërsa sportelet edhe gjatë ditës së sotme janë të stërmbushur me qytetarë të cilët tentojnë të ndryshojnë dokumentet personale, disa nga të anketuarit deklaruan se mungojnë ekzemplaret në dy gjuhësi dhe detyrohen që pasaportat ti nxjerrin vetëm në gjuhen maqedonase”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.
Qytetarët ankohen për mungesë organizimi.
“Letërnjoftimin dhe lejen e vozitjes i mora ndërsa pasaportën nuk e gjeten, nuk është. Për çfarë arsyeje? Nuk e dinë ku është e më thanë pas 4 apo 5 ditëve të vij”, tha një qytetar.
“Ndërrova letërnjoftimin edhe verës ndërsa pasaportën ende jo se ku do të udhëtoj unë, njëherë prita gjatë në “Proleqe” dhe ngrina, atje nuk është humane. Kjo është bërë por nuk është organizuar siç duhet”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Na thanë që letërnjoftimet do i dërgojnë me postë dhe ja tani hera e dytë që vijmë për pasaportë dhe lejen e vozitjes. Kanë mbetur edhe 10 ditë për të ndryshuar dokumentet, do të shohim por ne kemi rezervuar pushimin dhe nuk di çfarë do bëjmë, duhet të lajmërojmë në agjenci”, theksoi një qytetare.
“Unë vij nga jashtë shtetit dhe kjo është e turpshme, dhashë gjithë ato para ndërsa para dy vitesh nxora të ri dhe atë në mënyrë të shpejtë, vij nga Gjermania dhe patjetër ta ndërroj sepse nuk do mund të udhëtoj. Nga Manastiri erdha këtu që ta marr”, u shpreh një qytetare.
Afati i fundit i ndërrimit të dokumenteve personale me emrin e ri të shtetit mbetet 12 shkurti.
Pas kësaj date letërnjoftimet dhe patentat e shoferit me emrin e vjetër të shtetit do të mund të shfrytëzohen vetëm për përdorim të brendshëm, por jo dhe për të udhëtuar në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi.