Koalicioni qeveritar do të mbijetojë pavarësisht nga llogaritjet dhe koalicionet e zgjedhjeve përpara votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, edhe pse ekziston mundësia e një riorganizimi të partive politike që janë pjesë e saj.
Për këtë shumicë parlametare, ekspertët presin që të forcohet më shumë pas zgjedhjeve, shkruan tetovapress.com.
Llogaritjet zgjedhore për votim në raundin e dytë, para se gjithash në komunat, ku beteja zhvillohet në mes partive shqiptare, sipas ekspertëve, nuk e rrezikon koalicionin qeverisës. LSDM-ja po mbështet BDI-në në Strugë, Gostivar, Tetovë dhe në komunat tjera ku BDI është në garë, ndërsa Aleanca për Shqiptarët, pavarësisht se është pjesë e qeverisë, është bashkuar me Lëvizjen BESA . Por, RDK-ja e Vesel Memetit dhe Uniteti i Gëzim Ostrenit, që ishin pjesë e koalicionit “Aleanca së Shqiptarët” paralajmëruan se do të mbështesin kandidatët e BDI-së, e jo të koalicionit të tyre të deridjeshëm me Lëvizjen për Reforma PDSH, e cila tani quhet partia “Aleanca për Shqiptarët” dhe është në koalicion me Lëvizjen BESA.
Analisti politik nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Mitko Gaxhovski, në një prononcim për REL, thotë se pret që pas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve të ketë ri-grupime në koalicionin qeveritar, përkatësisht të ketë një rritje të shumicës parlamentare.
Por, sipas tij rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të kenë ndikim dhe rol kyç do të jetë beteja midis BDI-së në njërën anë dhe Aleancës së Shqiptarëve dhe BESËS nga ana tjetër, e kjo e bën situatën edhe më të pakëndshme, veçanërisht për LSDM-në.
“Megjithatë, koalicioni dhe mbështetja ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së u publikua paraprakisht, kështuqë kjo mënyrë mund të forcojë pozitën në mes këtyre dy partive dhe sigurisht që do të tërheqë edhe disa subjekte të tjera politike në shumicën e tyre parlamentare. Këtu unë mendoj në PDSH-në e Menduh Thaçit, si një alternativë për Aleancën e Shqiptarëve, si dhe tërheqjen e disa partive tjera politike nga komunitetet etnike që aktualisht janë në koalicion me VMRO-DPMNE “, ka thënë Gaxhovski.
Ndërsa ndryshe mendon gazetari dhe analisti, Berat Azizi, sipas të cilit pas raundit të dytë të zgjedhjeve nuk do të ketë rigrupime të reja në koalicionin qeveritar sepse rezultati i zgjedhjeve lokale nuk do të ndryshojë nga ai i raundit të parë dhe nuk do të ketë ndonjë ndryshim të hartës lokale.
“E dyta, pavarësisht nëse Sela humb në zgjedhje lokale ai nuk do ta lëshojë qeverinë për shkak se kariera e tij politike do të merr fund dhe do t’i krijojë pozicion akoma më të fortë BDI-së dhe kandidateve të cilët kanë shfaqur shenja për një shkëputje nga partitë që janë në koalicion me VMRO-në. Në anën tjetër do të jetë edhe ndikimi i faktorit ndërkombëtar për të krijuar një qeveri akoma më stabile pasi ka qenë insistimi i tyre që Sela të jetë në qeveri , ai ka qenë faktori kyç që ka krijuar qeverinë reformatore.
Reagimet e shumta në lidhje me koalicionin BESA, ASH dhe BDI, LSDM, nuk do të prodhojnë ndonjë ndryshim të kursit politik të partive , sepse qartë dihet se të dy këto koalicione janë koalicione të interesit, pra për të ruajtur pozitat e tyre në pushtet dhe për të mbajtur numrin e votuesve të tyre stabil.”, thotë për Tetovapress, gazetari dhe analisti Berat Azizi.
]Sipas tij, futja e PDSH në qeveri nuk do të ketë ndonjë efekt pasi Zaevi nuk do të mund të rrezikojë të largojë nga qeveria ASH me ndihmën e të cilëve erdhi në pushtet. Pra në lojë janë shumë hipoteza politike të cilat varen edhe nga faktori ndërkombëtar sidomos nga BE-ja e cila edhe përkundër mbështetjes që i jep qeverisë ajo e ka kritikuar për neglizhencë sidomos në reformat e sistemit të drejtësisë dhe rasteve që kanë të bëjnë me krimet dhe korupsionin.
Një mendim përafërsisht të njëjtë ndan edhe juristi dhe magjistri i së drejtës ndërkombëtare, Valon Abdulhamidi, i cili për TetovaPress thotë se “duhet ta kemi të qartë që në fillim se si u krijua ky koalicion qeveritar dhe me mbështetjen e kujt. Le të rikujtojmë se ky koalicion nuk do të mund të kalonte në udhëheqje të vendit (edhe pse dispononte me shumicën prej 62 deputetësh) nëse s’do të ishte për faktorin ndërkombëtarë, me theks të veçantë SHBA-të dhe BE-në, të cilët ishin kyç në zhbllokimin e krizës. Pra siç mund ta shohim bëhet fjalë për një projeksion mirë të menduar të faktorit ndërkombëtarë që Maqedoninë ta kthejnë në rrugën e euro-integrimeve, nëpërmjet reformave, të cilat nuk është e mundur të realizohen me parti skajshmërisht të centralizuar siç është PDSH-ja. Për vlerësimin tim edhe BDI-ja është e njejtë në këtë drejtim por fatkeqësisht numrat i kanë diktuar kryeministrit Zaev që të mbyll njërin sy dhe ta përfshijë BDI-në në qeverinë e re. Po të mos ishte për numrat, as pjesëmarrja e BDI-së në qeveri nuk do të vinte në shprehje. Si përfundim dëshiroj të theksoj se shumica edhe ashtu e brishtë parlamentare do të vazhdojë të jetë e njëjta edhe pas zgjedhjeve lokale, dhe dëshira e Thaçit që të jetë pjesë e qeverisë do të ngelet vetëm në suaza të dëshirës së bukur dhe e njëjta kurrë nuk do të jetësohet, jo sepse kështu dëshirojnë partnerët por sepse kështu dëshirojnë iniciuesit e reformave në Maqedoni, pra faktori ndërkombëtarë”, ka përfunduar për TetovaPress, Valon Abdulhamidi.