Në një prononcim plot ironi e thumba, Krenar Lloga nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, shkruan për kthesën në të cilën e gjetën veten ish bashkëpartiakët e tij, pas vendimit të Arben Taravarit për largim nga qeveria.
Ai aludon se shpifjet për të dhe për funksionarët e tjerë të ASH-së së Selës, që kanë pasur për qëllim të nxisin mosbesim ndaj njëri tjetrit, një vit më herët, u përtypën lehtë në atë kohë.
“Vetëm Zoti i Madh e di si janë qendisur ato përralla: “Ju nuk dini gjë”, “janë të kapur”, “do shihni ç’do dalë”, “janë bërë BDI”, “djali i Alisë”, “janë përlyer me pazare”, “tendera te korridori 8”, “shpejt do arrestohen” e të tjera si këto”, thotë Krenar Lloga, ASH e Ziadin Selës.
Ai shton se:
“Madje edhe ai soji i “antibdistit të përbetuar”… Po po, mezi pres ta shoh të ecë krah Frontit e BDI-së, duke thënë: “E bëjmë atëherë se na e kërkoi Kurti e bëjmë tani se e kërkon Rama”, “e bëjmë për bashkimin e ASH-së” – ndërkohë që në të vërtetë, ai kërkon kryetarllëk komune, këshilltar a drejtor ndërmarrjeje”vazhdon tutje Krenar Lloga, ASH e Ziadin Selës.
Sipas Llogës, bashkëpartiakët u manipuluan për “një copë kolltuk” kurse sot po shkojnë te Fronti.
“Ti që vjen te unë – aty ku isha para një viti. Unë me idealin tim, ti me moralin të një qeverisjeje antishqiptare. Unë me të vërtetën time, ti me “70%-in” tënd. Unë naivi pa paketim, ti që pret paketimin nga kryetari”, thotë ai.
Lloga thotë se i kanë shkruar më shumë veta për t’i thënë se ua kanë borxh bashkimin e ASH-së.
“Faljen nuk e kërkon as unë e as ti – se keni qenë manipuluar. Por borxhin për bashkimin e Aleancës rreth Ziadinit – po, këtë e presim. Në realitetin tonë: ky bashkëpunim do të ishte i pakuptimtë – pa emërimin e fajtorit. Ose, më butë thënë: pa pranimin e gabimit”, përfundon Lloga.
Qëndrimi i Llogës në rrjetet sociale është shpërndarë nga të shumë mbështetës e ASH-së së Selës. / Alsat.mk