Në Shqipëri është mbajtur një tubim në mbështetje të Palestinës dhe për t’i dënuar sulmet dhe masakrat e Izraelit ndaj palestinezëve në Gaza, ndërkohë e pranishme në tubim ishte edhe aktivistja suedeze e njohur ndërkombëtarisht Greta Thunberg.
Qindra qytetarë shqiptarë dhe të huaj u mblodhën në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë në tubimin e organizuar me thirrjen e aktivistëve dhe me mbështetjen e disa organizatave dhe nismave të shoqërisë civile.
Të pranishmit në tubim mbanin flamuj të Palestinës dhe pankarta me mbishkrimet “Liri për Palestinën tani”, “Stop gjenocidit në Gaza”, “Dërgoni ushqim, jo bomba”, “Shpëtojeni Gazën tani”, “Shqipëria qëndron me Palestinën” dhe të tjera.
Thirrjeve “Liri për Palestinën” në gjuhën shqipe dhe angleze iu bashkua edhe Thunberg, e cila në fjalën e saj në tubim tha se duhet të vazhdojnë të dalin të protestojnë për Palestinën.
“Gaza ka hyrë në fazën e pestë të kequshqyerjes që është e pakthyeshme, ndërkohë që nga ana tjetër e kufirit mijëra kamionë me ndihma ushqimore presin për të hyrë. Ky është një vazhdim i politikave segregacioniste të paligjshme të Izraelit, i cili ka shkatërruar furra buke për ta vazhduar fushatën e urisë ndaj Gazës”, u shpreh ajo.
Thunberg theksoi se situata në Gaza është pasojë direkte e heshtjes së botës që sipas saj e lejoi Izraelin të kryente këtë akt gjenocidi.
Gjatë fjalimeve të tjera të disa aktivistëve u theksua se “Izraeli po vret qëllimisht palestinezët dhe nuk duhet të heshtim ndaj masakrave”.
Sipas organizatorëve, tubimi i sotëm është pjesë e një vale globale mobilizimi për ndërhyrje urgjente për t’i dhënë fund “përdorimit të urisë si armë lufte, pushtimit të paligjshëm të Izraelit, përfundimit të politikave sistematike të rrethimit dhe aparteidit dhe ndaljen e gjenocidit”.
Në Shqipëri janë organizuar edhe më parë tubime të tjera në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez, si dhe për dënimin e sulmeve dhe masakrave të Izraelit ndaj palestinezëve.