Hamdi Nuhiju
Transporti publik në qytetin e Shkupit është njëri prej më skandalozëve në Ballkan! Ju duket një gjykim subjektiv? Me siguri! Por, ju lutem, mos e krahasoni me Prishtinën e Përparim Ramës e as me Tiranën e të arrestuarit në burg, Erion Veliaj.
A ishte edhe para katër viteve, transporti publik në Shkup skandaloz? Po! Kaq skandaloz, me përmasa të këtilla? Jo, asesi! Nëse keni argumente të kundërta, jam i hapur për t`i pranuar.
Këtë qasje po e ndërtoj vetëm me disa anomali nga syri i një personi që çdo ditë përballet me kaosin e transportit publik.
- Më thoni një rast kur keni dëgjuar shoferin e autobusit dykatësh që shan këmbësorin vetëm pse ka kaluar në vizat e bardha të këmbësorëve, e nuk e ka pritur të kaloj autobusin, edhe pse nuk ka pasur semafor?
-Shkup! Shofer i autobusit dykatësh i NPT Shkup.
- Më thoni një rast kur keni parë plaka të lënduara gjatë hipjes ose zbritjes prej autobusit për shkak të mos kujdesit të shoferëve dhe sjelljes jo normale?
-Shkup! Shofer i autobusit dykatësh i NPT Shkup.
- Më thoni një rast kur keni parë që autobusi dy katësh të ndaloj në mes të rrugës sepse është prishur, edhe atë kjo gjë të mos ndodh vetëm një herë, por disa herë brenda një periudhe të shkurtër kohore?
-Shkup.
- Më thoni një rast kur keni parë që autobusët janë shndërruar në arenë dhune midis moshave të ndryshme për shkak të mbingarkesës në njerëz?
-Shkup.
- Më thoni një rast kur të punosh si shofer autobusi nënkupton mallkim, vonesë rrogash, nervozë dhe ulje e dinjitetit njerëzor?
-Shkup! Shoferët e autobusit të NPT Shkup.
- Më thoni një rast kur problemi i shoferëve të autobusëve në Shkup përdoret si aureolë politike, thes boksi për t`u përballur me pushtetin qëndror dhe mbuluar dështimet e njëpasnjëshme me udhëheqjen e qytetit të Shkupit?
– Danella Arsovska.
Po, mirë e lexuat. Mandati i kryetares së qytetit të Shkupit është i përshkruar me skandale të njëpasnjëshme, por, është i njohur në opinion për shndërrim në thes boksi të problemit me Ndërmarrjen Publike Transportuese të qytetit të Shkupit.
Arsovska erdhi dhe po shkon, e nuk zgjidhi as një problem të qytetarëve të Shkupit.