Kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Kërçovës, Fatmir Limani, ka komentuar përgjimet e fundit të publikuara nga El Cheka, ku pretendohet se bëhet fjalë për biseda të kryetarit aktual të komunës, Fatmir Dehari.
Limani tha se nuk dëshiron të shfrytëzojë raste të tilla për përfitime politike, duke theksuar se Prokuroria duhet të merret me këtë çështje. Ai nënvizoi se fokusi i tij mbetet tek platforma dhe oferta e tij për qytetarët e Kërçovës.
“Jam kategori njeriu që nuk shfrytëzoj raste të tilla. Këto çështje duhet t’ia lëmë Prokurorisë. Me keqardhje e përshkoj këtë situatë, sepse në fund të ditës mendoj për fëmijët dhe familjarët e tyre. Nuk i pëlqej këto mënyra dhe forma.
Secili politikan duhet t’i vërë gishtin kokës dhe të reflektojë për sjelljet e veta, sepse karriera politike përfundon një ditë, dhe rëndësi ka nëse e mbyllim me faqe të bardhë apo të nxirë. Unë jam i fokusuar tek ajo që ofrojmë ne si ekip dhe nuk do të merrem me atë çka është bërë ose s’është bërë deri më sot,” – deklaroi Limani.
Ai shtoi se VLEN do të vazhdojë fushatën e saj në mënyrë korrekte dhe me vizion për zhvillim lokal, duke e lënë drejtësinë të merret me çdo rast të dyshimtë.