Ministri për Punë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Limani, ka reaguar publikisht ndaj deklaratave për vendosjen e një “moratoriumi” mbi aktivitetet politike, pas vendimit për shkrirjen e Lëvizjes Besa në kuadër të koalicionit VLEN.
Në reagimin e tij të plotë, Limani thekson se moratoriumi nënkupton pezullim të një aktiviteti apo procesi të caktuar, por nënvizon se në praktikën politike dhe organizative, një masë e tillë duhet të jetë e arsyetuar, e konsultuar me strukturat dhe në funksion të stabilitetit, e jo në dëm të funksionimit demokratik.
Sipas tij, strukturat politike nuk mund të paralizohen përmes vendimeve të njëanshme, pasi ato përfaqësojnë vullnetin dhe angazhimin e anëtarësisë në terren, që kanë kontribuar në zhvillimin e subjektit deri në nivelin e përfaqësimit në qeveri.
“Funksionimi normal i strukturave, komunikimi me qytetarët dhe organizimi politik janë elemente thelbësore të jetës demokratike të çdo subjekti politik. Çdo qasje që synon kufizimin e këtyre proceseve rrezikon të prodhojë pasoja të kundërta nga ato që pretendohet të arrihen”, thekson Limani.
Ai shton se vendimmarrja duhet të mbështetet në parimet e konsultimit, transparencës dhe respektimit të rolit të strukturave në të gjitha nivelet, duke theksuar se vetëm një qasje gjithëpërfshirëse garanton unitetin, besimin dhe funksionalitetin organizativ.
Në fund, Limani ngre edhe një pyetje publike lidhur me zbatimin e mundshëm të moratoriumit: “A do të vlejë masa e moratoriumit edhe në kohën e fushatës zgjedhore që pritet të pasojë së shpejti?!”
Ai përmbyll reagimin me mesazhin se organizimi politik nuk ndërtohet mbi pezullime të imponuara, por mbi bashkëpunim, përgjegjësi dhe vendimmarrje kolektive, duke shtuar se “nuk ka forcë që ndalon veprimtarinë, e cila filloi me mision të qartë”.


