Në një ngjarje kushtuar trajtimit të varfërisë së fëmijëve dhe përjashtimit social, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, me mbështetjen e UNICEF-it, prezantoi rezultatet e analizës dhe rekomandimet e politikave për një paketë gjithëpërfshirëse të shërbimeve që do të shqyrtohen në kuadër të Garancisë Evropiane për Fëmijët në Maqedoninë e Veriut.
Dialogu për paketën e re të shërbimeve vjen në një moment kritik: sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, fëmijët në Maqedoninë e Veriut janë në rrezik dukshëm më të lartë të varfërisë sesa të rriturit, me 32% që jetojnë nën kufirin kombëtar të varfërisë ndërs 40% përballen me varfëri multidimensionale, sipas të dhënave më të fundit në dispozicion.
Paketa e propozuar e shërbimeve të Garancisë për Fëmijët synon të sigurojë që çdo fëmijë — veçanërisht më i rrezikuari — të ketë akses të garantuar në kujdesin shëndetësor, arsimin, mbrojtjen sociale dhe kujdesin nëpërmjet mbështetjes së koordinuar dhe shumë-sektoriale. “Pavarësisht disponueshmërisë së shërbimeve bazë si shëndetësia dhe mbrojtja sociale dhe arsimi, fëmijët që përballen me varfërinë dhe përjashtimin hasin në pengesa më të mëdha sepse sistemet nuk janë përshtatur me nevojat e tyre. Për të tejkaluar sfidat e lartpërmendura, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e BE-së dhe UNICEF-it, ka hartuar Planin Kombëtar të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve 2025-2029, i cili është në fazën përfundimtare të miratimit. Një nga prioritetet e Planit është ulja e varfërisë së fëmijëve, duke përfshirë edhe futjen e Garancisë Evropiane për Fëmijët, si dhe një rritje prej 15% e shtesave në para për fëmijët”, theksoi Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve.
Ai informoi se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve do të udhëheqë koordinimin me institucionet tjera qeveritare për hartimin e një plani për zbatimin e Garancisë për Fëmijët.
Rekomandimet e politikave synojnë kategoritë më të rrezikuara të fëmijëve, duke përfshirë fëmijët romë, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët në konflikt me ligjin dhe të tjerë. Paketa përfshin shërbime të shumta, të tilla si ndihmë e zgjeruar në para, qasje në rritje në edukimin parashkollor, arsim gjithëpërfshirës, qasje universale në kujdesin shëndetësor, ushqim falas në shkollë dhe shërbime të tjera. “Fëmijët që rriten në varfëri kanë më shumë gjasa të mbeten të varfër si të rritur, duke përjetësuar ciklin e pabarazisë”, tha Lesli Miller, Përfaqësuesja e UNICEF-it.
“Garancia për Fëmijët po provon të jetë një mekanizëm i provuar për të luftuar këto tendenca alarmante dhe për të siguruar që fëmijët të mos neglizhohen apo të mbeten pas”.
Rekomandimet kanë për qëllim adresimin e shkaqeve të varfërisë së fëmijëve, të tilla si vështirësitë financiare të familjeve, aksesi i kufizuar në shërbime cilësore dhe barrierat sistematike si stigmatizimi, koordinimi i dobët ndërmjet institucioneve dhe pabarazitë gjeografike. Qasja thekson ofrimin e shërbimeve të integruara, kontaktin proaktiv me familjet dhe masat e përshtatura për nevojat reale të fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Plani Kombëtar i Veprimit për Garancinë e Fëmijëve parashikon forcimin e ofrimit të shërbimeve dhe mobilizimin e fondeve përmes buxheteve kombëtare dhe bashkiake për zbatimin e tij. Deri në 3 milionë euro janë planifikuar tashmë për futjen e shërbimeve të fokusuara tek fëmijët. Modelet e modifikuara të shërbimit do të pilotohen në komuna të përzgjedhura për të siguruar të dhëna për zbatimin e tyre më të gjerë kombëtar.