Në edicionin qendror të lajmeve në TV Alsat, kandidati për kryetar komune nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim – BDI dhe ASH, Valbon Limani, u pyet për kandidaturën e Nevzat Bejtës nga koalicioni VLEN për Gostivarin në zgjedhjet e 11 janarit.
“Me gjithë respektin për Nevzat Bejtën, unë mendoj që po të mos ishte qesharake do të ishte tragjike rikandidimi i tij. Ai është një relikt politik, i cili kandidohet për të gjashtën herë, dhe kjo është një mesazh shumë i keq për qytetarët dhe veçmas për të rinjtë,” tha Limani.
Ai shtoi se koalicioni VLEN ka humbur mundësinë për të propozuar një kandidaturë serioze, duke përmendur edhe kandidatin e mëparshëm Sebajdin Dautin dhe të besuarin e qeverisë Fadil Xhelilin. “Por ja që i zhgënjyen ata dhe sërish kandiduan për të gjashtën herë zotri Bejtën. Besoj që qytetarët qartë do të flasin më 11 janar,” theksoi Limani.
Limani u pyet edhe për akuzat e Bejtës, lidhur me borxhet e trashëguara nga qeverisja e Arben Taravarit, si dhe për shtimin e borxhit gjatë mandatit të tij. “Nuk do të komentoj akuzat e Bejtës, sepse për atë flet vet ai, dhe gjithë këto 23 vjet të aktivitetit të tij politik, qytetarët e dinë shumë mirë se çka dhe sa vlejnë fjalët e tij,” tha Limani.


