Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Teatrit, zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, z. Hazbi Lika së bashku me Sekretarin shtetëror në Ministrinë e Kulturës, z. Valmir Aziri, sot vizituan Teatrin Shqiptar në Shkup.
Zëvendëskryeministri Lika dhe sekretari Aziri realizuan takim me drejtorin e teatrit z. Adem Karaga i cili i njoftoi për rrjedhën e punimeve për rikonstruimin e Teatrit, duke potencuar se projekti i paraparë do të jetë konform standardeve evropiane. Karaga theksoi se gjatë këtij viti do të përfundojnë punimet dhe Teatri do t’i hapë dyert për publikun. Njëherit ai falënderoi z. Lika dhe z. Aziri për mbështetjen e tyre të fuqishme në procesin e përshpejtimit të punimeve të kësaj vatre kulturore.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Lika uroi të gjithë artistët dhe artdashësit për shënimin e kësaj date të rëndësishme, duke theksuar se Qeveria vazhdon të japë impulse të mëtutjeshme për finalizimin e këtij projekti kulturor shqiptar.
“Me finalizimin e këtij projekti gjigand, do të ringjallim kulturën dhe interesin e publikut për teatrin. Kultura shqiptare sapo ka filluar të lulëzojë dhe kjo Qeveri ka vullnet dhe mundësi për të bashkëpunuar dhe për t’i dhënë shumë më tepër mundësi zhvillimit të kulturës kombëtare.” – shtoi z. Lika.
Ndryshe, në buxhetin për vitin 2018 për përfundimin e punimeve për rikonstruimin e Teatrit shqiptar janë ndarë 250 milion denarë