Rirregullimi ligjor i punës në tregjet e gjelbra të vendit, ishte temë e takimit të sotëm mes ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshit, dhe kryetarit të Odës së Tregtarëve, Ekrem Dolekut. Sipas tyre, Ligji i ri për tregjet e gjelbra do të jetë në dobi të shitësve dhe blerësve, padyshim që do të ndikojë në uljen e ekonomisë informale, që po u bën konkurrencë të pandershme shitësve në tregjet e gjelbra. Ky ligj do të rregullojë mënyrën e të bërit tregti në tregjet e gjelbra dhe mënyrën e evidentimit edhe licencimit të shitësve.
“30 vitet e kaluara, tregtarët në këto tregje kanë punuar pa status të zgjidhur e të caktuar në aspektin ligjor. Dhe kjo ka sjellë paraqitjen edhe të konkurrencës jolojale ose ekonomisë së zezë”,– tha kryetari i Odës së Tregtarëve të Maqedonisë, Ekrem Dolek.
“Në Maqedoni ekzistojnë mbi 15 mijë tregtarë që punojnë në tregjet e gjelbra dhe tani, në një afat të shkurtër, shumë prej tyre do të pajisen me licenca, duke u regjistruar kështu në institucionet adekuate”,– tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Por, tregtarët në tregjet e gjelbra nuk i kanë mirëpritur ndryshimet ligjore, jo sepse nuk duan të pajisen me licenca, por sepse vlerësojnë se çmimi i licencës është tepër i lartë për xhepin e tyre.
“Nëse është çmimi i licencës i ulët, nëse bëhet fjalë për 2 mijë denarë, besoj se nuk do jetë problem, por mbi 2 mijë denarë do të jetë më ndryshe. Për tezgën paguajmë 60 euro, nëse edhe licenca është aq, atëherë do duhet të paguajmë rreth 10 mijë denarë”,- theksoi një tregtar.
“Kemi dijeni se duhet të kemi licencë, por ende nuk e dimë se kur. Me licenca do të bëhet më mirë për të gjithë”,– tha një tregtar.
Me Ligjin e ri për tregjet e gjelbra do të rregullohet edhe sigurimi shëndetësor dhe sigurimi pensional për të gjithë ata që jetesën e tyre e nxjerrin duke shitur në këto tregje.

