Alsat 2020-02-04T14:58:08+01:00
Thellohen dallimet mes pushtetit dhe opozitës mbi propozim-Ligjin e Prokurorisë Publike. VMRO-DPMNE-ja e cila deri tani ka qenë pjesë e grupeve të punës, pas debatit publik kërkon që tekstin e ligjit ta hartojnë ekspertët. Hristijan Micksoki propozoi gjashtë emra profesorësh, duke kërkuar që të njëjtën gjë ta bëje edhe pushteti. Në rast se Kuvendi nuk shpërndahet më 12 shkurt shkaku i mos miratimit të këtij ligji, opozita do të propozojë shpërndarjen e tij.
Të jemi të qartë, VMRO-DPMNE-ja nuk është kundër Ligjit për Prokurorinë Publike, por është kundër ligjit partiak me të cilin do të mbrohet krimi. Çdo zgjidhje ligjore duhet miratohet me konsensus dhe me mbështetjen e ekspertëve. Për këtë arsye propozoj që Ligji për Prokurorinë të vijë nga ekspertët në Fakultetin Juridik të cilën kanë përvojë në këtë materie dhe që ishin pjesë e debatit. Ta vendosim profesionalizmin mbi interesat partiake. Ligji që do të propozohet prej tyre, VMRO-DPMNE-ja do ta mbështes pa mëdyshje – tha Hristijan Mickski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski thotë se pushteti është duke punuar për sigurimin e shumicës së nevojshme për miratimin e ligjit. I pari i Qeverisë i bëri thirrje palëve që të gjejnë konsensus për çështjet me interes kombëtar. Spasovski nuk pret shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
Nuk pres që zgjedhjet të shtyhen sepse jam i bindur se do të sundojë arsyeja dhe logjika se interesat kombëtare janë më të mëdha se interesat personale apo të bizneseve. Të gjithë duhet ta kuptojnë të vërtetën, përfshi edhe deputetët se miratimi i ligjeve është kusht i interesave tona kombëtare. Gjithçka është e mundur, posaçërisht kur bëhet fjalë për VMRO-DPMNE-në jam i bindur se gjithçka është e mundur sepse tek ata ndaj interesave personale nuk mbisundojnë interesat kombëtare – u shpreh Oliver Spasovski, Kryeministër teknik.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se konsultimet për sigurimin e 2/3 votave janë duke vazhduar. Ndonëse pritej që ligji sot të propozohej në Qeveri, nga dikasteri i Drejtësisë thonë se do presin akoma që VMRO-ja t’i propozojë amendamentet e saj ndaj tekstit të propozuar. Ditë më parë kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se shpërndarja e Kuvendit mund të shtyhet nëse nuk miratohet Ligji për Prokurorinë Publike dhe protokolli për NATO. Ai shtoi se kjo nuk obligon zhvendosjen e 12 prillit si datë të paraparë për zgjedhje të parakohshme, pasi që sipas tij Kushtetuta jep mundësi që Kuvendi të shpërndahet 45-60 para zgjedhjeve. Këtë propozim të Zaevit e hedh poshtë kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi i cili është deklaruar i gatshëm që më 12 shkurt vetë si deputet të iniciojë shpërndarjen e ligjvënësit. Lidhur me nevojën e miratimit të ligjit, 8 deputet e pavarur nga VMRO-DPMNE-ja ditë më parë kanë zhvilluar takim me ambasadoren amerikane, Kejt Meri Bërns të cilës i kanë shprehur qëndrimin e tyre ndaj propozimit të pushtetit.
Adrian Kerimi
Loading…




