Vërejtje përfundimtare për propozim-ligjin e mediave sot u thanë në debatin e hapur në Kuvend.
Kërkesat kryesore kishin të bëjnë me financimin e Servisit Publik, për të cilin kërkohet shumë më e madhe e financave nga buxheti i shtetit pas heqjes së taksës radio-difuzive. Kjo u kërkua edhe nga kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Por, ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, u shpreh se paratë për Servisin Publik janë ndarë sipas mundësive reale, ndërkaq i gjithë ligji ka për qëllim të mbajë politikën larg mediave.
“Përzgjedhja e anëtarëve të rinj në trupat rregullatorë dhe këshillit programor të RTVM-së është test për partitë politike dhe demokracinë. Duam që të kalojmë këtë test dhe opinioni do të na vlerësojë në këtë proces i cili duhet të jetë publik dhe transparent”,- tha ministri i shoqërisë informatike, Damjan Mançevski.
Ministri i komunikimeve, Robert Popovski, tha se ligji paraqet fillimin e proceseve reformuese në këtë fushë.
“Për shkak të problemeve të shtresuara, vitet e fundit dhe gjithë atë që ky ligj do të duhet ta rregullojë, na nevojitet tani të kemi konsensus, ta miratojmë ligjin dhe të startojmë në fazat të cilat duhet të pasojë me qëllim që industria e mediave definitivisht të ripozicionohet, pasi që ky ligj nuk përfshin shumë pjesë që nënkuptojnë trende bashkëkohore në shoqëri, por megjithatë definon postulatet themelore se si mund të rregullojmë disa segmente”,- tha ministri i komunikimeve, Robert Popovski.
Kryetari i Agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuele, Zoran Trajçevski, tha se pavarësia e Agjencisë dhe Servisit Publik nuk do të ndryshojë me financimin e tyre nga buxheti.
“Çështja kyçe është përmirësimi i pavarësisë së Agjencisë dhe Servisit Publik. Absolutisht nuk ekziston shembull në botë që me financat nga buxheti përmirësohet pavarësia. Ky është shembulli i parë dhe ku vetëm financimi nga buxheti thuhet të jetë kusht për përmirësimin e pavarësisë”,- theksoi kryetari i Agjencisë së Mediave, Zoran Trajçevski.
Vërejtjet e tyre dhanë edhe operatorët e rrjeteve publike të komunikimit, të cilët konsiderojnë se nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen e programeve që ritransmetojnë, pasi kjo rregullohet me ligj tjetër.