Ligji për përdorimin e gjuhëve sot mori mbështetjen e të gjithë 69 deputetëve të pranishëm në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, pa asnjë votë “ kundër” apo “ të përmbajtur”.
Menjëherë pasuan reagimet e partive politike shqiptare.
Deputeti I BDI-së, Artan Grubi, tha se sot është rrumbullakosur plotësisht Marrëveshja e Ohrit.
“Pas disa viteve të nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore së Ohrit e njëjta u rrumbullakosua plotësisht, kjo është një ditë e rëndësishme i uroj të gjithë qytetarët po edhe të gjithë deputetët që votuan po edhe atyre që nuk kundërshtuan fundja ligji kaloj pa asnjë votë kundër”, deklaroi Grubi I cili ftoi VMRO-DPMNE-në dhe presidenti Ivanov që ta përkrahin ligjin.
Nga Lëvizja BESA, blloku i Bilall Kasamit, foli deputeti Fadil Zendeli, i cili tha se edhe pse i dhanë përkrahje ligjit, i njejti nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe.
“ Edhe më herët i kemi shprehur të gjitha vërejtjet që kemi pasur, për të treguar se ky ligj nuk e zyrtarizon, por vetëm e avancon gjuhën shqipe”- tha Fadil Zendeli.
Nga Aleanca për Shqiptarë thonë se merita për këtë ligj u takon shqiptarëve dhe se tani në vend të euforisë, janë të përqëndruar në implementimin e këtij ligji në praktikë.
“Kontribuam dhe përdorëm maksimalisht të gjitha mundësitë kushtetuese që ky ligj të jetë cilësor dhe t’i përmbush kërkesat e shqiptarëve. Tani në vend të euforisë, vëmendjen politike e kemi të përqendruar në implementimin e këtij ligji në praktikë” – thuhet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët.
Pa bërë zë nuk qëndroi as partia opozitare, VMRO-DPMNE , deputetët e së cilës as sot nuk ishin të pranishëm në Kuvend.
Ndërkohë që njëra pale i gëzohet votimit të ligjit, pala tjetër e sheh si jo-kushtetues.
“Ligji për dygjuhësi të cilin sot e ka votuar shumica parlamentare është jo-kushtetues. Me këtë akt, pushteti tregoi se akti më i lartë juridik, Kushtetuta e shtetit për të është fjalë e vdekur në letër. Ky ligj u miratua me mashtrim, gjegjësisht vendosje të rrejshme të simbolit evropian, me ça u keqpërdorën procedurat për miratimin e ligjeve nga rëndësia për integrim të vendit në BE. Pushteti duhet të mbajë përgjegjësi për këtë manipulim ndaj qytetarëve”- thonë nga VMRO-DPMNE.
Rreth kushtetutshmërisë së këtij ligji, sot foli edhe gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu, i cili ndryshe nga propozuesi i emrit të tij për postin në kushtetuese, Gjorgje Ivanov, tha se ligji aktual është në përputhje me kushtetutën e Maqedonisë. Megjithatë, ai shtoi se për të qenë gjuha shqipe e barabartë me gjuhën maqedonase, duhet të ndërhyhet në kushtetutën aktuale.
“ Edhe ky propozim është në kuadër të normave kushtetuese. Që të sigurohet gjuha shqipe e barabartë me gjuhën maqedonase në nivel të shtetit dhe jashtë tij eshtë e nevojshme të ketë paraprakisht intervenim në kushtetutën aktuale”- tha Kadriu.
Për të implementuar tërësisht dygjuhësinë, do të nevojiten afro 2 milionë euro shtesë që ministria tha se do të sigurohen nga buxheti i vitit 2018.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com