Ligji për gjuhën shqipe do të jetë sërish në qendër të vëmendjes duke filluar nga dita e hënë. Pas votimit të leximit të parë, ku VMRO-DPMNE-ja votoi kundër, ky propozim ligj më datë 22 nëntor do të jetë në Komisionin Kuvendor për Çështje Evropiane, por megjithatë partitë deri të hënën mund të bëjnë propozimin e amendamenteve.
Nga VMRO-DPMNE këmbëngulin në qëndrimin e tyre se ky propozim-ligj është në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Maqedonisë andaj thonë se për të ndryshuar pjesët që bien ndesh me kushtetutën do të përdorin mundësinë e propozimit të amendamenteve.
“Ligji për dygjuhësi është tërsisht jo kushtetues dhe në shum nene i tejkalon kufijt e kushtetutës. Fillimisht duam të arrijmë deri tek trajtimi i barabartë i të gjitha gjuhëve në pjesën e formimit të agjencisë dhe inspektoratit. Mendojmë se agjencia dhe inspektorati duhet të kenë kompetenca për të kontrolluar përdorimin e të gjitha gjuhëve në Maqedoni” – thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga kjo parti akuzojnë se LSDM-ja përmes këtij ligji po shkon drejt ridefinimit të shtetit, ndërsa nga LSDM i mohojnë akuzat e ngritura nga VMRO se ky ligj shkel kushtetutën.
Ndërsa sipas Lëvizjes BESA, përmes tëtij ligji bëhet vetëm avancimi i gjuhës shqipe, që sipas tyre nuk është e mjaftueshme, andaj nga kjo parti mundësinë për propozimin e amendamenteve do ta shfrytëzojnë për të ndikuar në zyrtarizimin dhe jo vetëm avancimin e gjuhës .
“Synimi ynë është zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe. Andaj, ne do të bëjmë ndërhyrjet e duhura përmes amendamenteve, ashtu siç e parashikon edhe deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare”- thonë nga Lëvizja BESA.
Artan Grubi, nga BDI, pas votimit të leximit të parë të këtij ligji tha se i njejti do të kontribuoj në barazimin e gjuhës shqipe me atë maqedonase.
Propozim-ligji për gjuhët do të jetë në seancën e KÇE-së me datë 22 nëntor, në përvjetorin e 109 të Kongresit të Manastirit.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com