Analisti Mentor Nazarko u shpreh se Shqipëria duhet të rikthehet fuqishëm me ndikimin e saj në Maqedoninë e Veriut.
Sipas analistit, Kosova duhet të heqë dorë nga qasja përjashtuese, ndarëse e faktorit shqiptar dhe cilësoi gjithashtu Greqinë fqinje si një vend që ka interes ekonomik në Maqedoninë e Veriut.
“Shqipëria ka një rol të rëndësishëm. Në planin taktik të gjitha koalicionet e sulmojnë njëri- tjetrin si tradhëtar që bëjnë kompromise në dëm të interesit kombëtar. Pra midis dy palëve shqiptare atje ka një ndarje shumë të madhe. Shqipëria duhet të rikthehet shumë fuqishëm atje sepse vendin e saj mund ta zërë dikush tjetër. Mund ta zërë Serbia, mund ta zërë Kosova, ndërsa Shqipëria mund të afrohet duke iu qasur të dyja palëve.
Greqia ka interesat e veta në këtë vend, jo vetëm për karakterin historik, por edhe ekonomik. Greqia është vend i BE dhe do t’i mbahet strikt marrëveshjeve, Greqia nuk vendos veto . Bullgaria mund ta bëjë dhe mund të fshihet pas tyre.
Nëse mundet Kosova duhet të heqë dorë nga qasja përjashtuese ndarëse e faktorit shqiptar. Partitë shqiptare atje e kërkojnë rolin e Shqipërisë që duhet të rikthehet fuqishëm.
Në 6 mujorin e ardhshëm udhëheqësit e gjithë Europës do të mblidhen në Shqipëri, Shqipëria duhet ta ushtrojë këtë autoritet në interesin e vendit të saj. “ / abcnews