Alsat 2019-08-30T15:25:35+02:00
Takime joformale mes grupe politike për ligjin e prokurorisë publike ka pasur edhe gjatë ditës së sotme. Partitë ishin të rezervuara për të dhënë informacione se cilat nga amendamentet e tyre janë të pranueshme për propozuesin e ligjit, Ministrinë e Drejtësisë. Në seancë plenare LSDM-ja akuzoi opozitën se me qëllim pengon miratimin e ligjit.
Nëse jeni të sinqertë në qëllimin se duani drejtësi dhe shtet të së drejtës, gjykim pa presione, klientelizëm, atëherë pse edhe më tej nuk pajtoheni që sa më shpejt ta sjellim ligjin për prokurorinë publike? Pse në negociata kërkoni që të gjitha lëndët që janë hapur nga PSP-ja dhe që kanë arritur deri te gjykatat, të ndërpriten?”- tha Jagoda Shahpaska, deputete e LSDM-së.
VMRO-DPMNE-ja do ta pranojë ligjin vetëm nëse pushteti heq dorë nga disa dispozita.
Nëse pushteti niset nga parimi i drejtësisë është e mundur që të arrihet marrëveshje deri më 10 shtator. Në rast se pushteti nxit optimizëm se ofron zgjidhje me të cilën do të amnistohen pjesëmarrës në reketim dhe vepra të tjera kriminele, absolutisht nuk jam optimist”-theksoi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Në ditën e parë të debatit në komisionin për çështje evropiane u miratuan 10 nga gjithsej 51 amendamente të partive politike. Ndër amendamentet që morën dritë jeshile ishin kryesisht ata që rregullonin aspekte të caktuara teknike por pjesët problematike për të cilat palët kanë pasur më shumë përplasje vazhdojnë të jenë objekt negocimi. Opozitës maqedonase ju pranua propozimi për rritjen e buxhetit të prokurorisë prej të paktën 0.4% nga buxheti i përgjithshëm i shtetit. Por, VMRO-DPMNE-ja kërkon edhe të drejtën e propozimit të emrit të prokurorit të ri për krim të organizuar dhe korrupsion të nivelit të lartë, i cili për to, jo domosdoshmërish duhet të jetë prokuror. Nga pushteti nuk janë prononcuar akoma për këtë kërkesë të opozitës maqedonase. BDI-së ju pranua amendamenti për harmonizimin e ligjit të prokurorisë me ligjin për përdorimin e gjuhëve por ata kërkojnë edhe votim me Badenter në Këshillin e Prokurorëve gjatë zgjedhjes së prokurorëve dhe përfaqësim të drejtë etnik në strukturat e prokurorisë. Besa nëpërmjet amendamenteve propozon përdorimin e materialeve të përgjuara edhe më tej në procedura gjyqësore dhe njohjen e gjuhës shqipe nga të gjithë prokurorët e ri. Aleanca për Shqiptarët vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale me të cilën, sipas tyre, do të udhëhiqte një prokuror i huaj.
Fatlume Dervishi
Loading…



