22 Dhjetor 2018 / 15:51
Intervista me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Rejçell Gallovej
Ligji për amnisti përbën vetëm një hap drejt pajtimit por akoma shumë punë duhet bërë për kapërcimin e dallimeve mes partive vlerëson ambasadorja britanike Rejçell Gallovej. Ajo shton se organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit dhe dhunuesit e deputetëve duhet të mbajnë përgjegjësi. Në një intervistë për Alsat, Gallovej shprehet e bindur se procesi i Prespës do të finalizohet me sukses edhe në Athinë. Ndërkohë që çelja e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor sipas Gallovej varet nga përmbushja e detyrave dhe reformave që ka parashtruar Brukseli.
Zonja Gallovej. Këto ditët po zhvillohet debat i nxehte rreth ligjit për amnisti. Kritikët thonë se ligji ndërhyn në punën e gjykatës dhe prokurorisë. Cili është vlerësimi juaj dhe a është ligji në vijë me vlerat dhe parimet evropiane?
E rëndësishme është që ligji u miratua me shumicë në parlament dhe mori mbështetjen e më shumë partive politike. Kjo është e rëndësishme për një proces pajtimi. Gjithashtu mendohej se mund të jetë hapi i parë në procesin e pajtimit, ka akoma shumë gjëra për t’u bërë në mënyrë që të kapërcehen ndasitë politike. Njëkohësisht, duhet të ketë përgjegjësi për atë çfarë ndodhi më 27 prill. Ata që organizuan ngjarjen dhe ata që ushtruan dhunë duhet të mbajnë përgjegjësi dhe ligji e mundëson një gjë të tillë.
Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës ka mbërritur në fazën përfundimtare, megjithatë duke pasur parasysh debatin që zhvillohet në Greqi, mendoni se procesi rrezikohet në parlamentin grek dhe çfarë nëse procesi dështon në Greqi?
Ne që në fillim thamë se mendojmë që liderët e të dyja shteteve janë jashtëzakonisht të guximshëm për ta çuar marrëveshjen përpara pasi ajo është e rëndësishme për stabilitetin, prosperitetin e të dyja vendeve. Kryeministri Cipras së fundmi konfirmoi publikisht edhe njëherë se do të kalojë marrëveshjen në parlamentin grek dhe ne jemi të sigurt për këtë premtim.
Nëse procesi përfundon me sukses, a ka garanci Maqedonia se ne qershor do të fillojë negociatat me BE-ne. Apo ky proces mund të bllokohet nga ndonjë shtet tjetër anëtar i BE-së dhe si mund Mbretëria e Bashkuar ta ndihmojë këtë proces?
Këshilli Evropian në Samitin e qershorit këtë vit miratoi progresin që ka bërë Maqedonia posaçërisht sa i përket Marrëveshjes historike të Prespës. Konkluzionet gjithashtu nënvizuan nevojën në fushat ku Maqedonia duhej të vazhdojë me reformat edhe atë në shërbimet e inteligjencës, administratën publike, sundimin e ligjit. Është e rëndësishme të nënvizohet se po, këto fusha janë të rëndësishme për të arritur standardet evropiane por ato janë vitale edhe për qytetarët e Maqedonisë. Qeveria filloi të tregojë se çfarë po punon, fillimisht me planin 3-6-9, tani me planin 18. Ne si Mbretëri e Bashkuar ofrojmë mbështetje për të gjitha këto fusha. Sa për ilustrim sa iu përket reformave në shërbimet e inteligjencës, ne mbështetëm forcimin e kontrollit të shërbimeve të sigurisë nga ana e komisioneve parlamentare. Sa i përket reformave në administratën publike të hënën do të lancojmë një program që do t’iu mundësojë qytetarëve të shohin dhe kuptojnë se çfarë bën qeveria dhe si të kenë qasje në shërbimet që ofrojnë. Si dhe në reformat në gjyqësor, ne mbështesim aktivitet sa i përket transparencës në mënyrë që qytetarët të shohin se çfarë ndodh me reformat në gjyqësor dhe çfarë bëhet në emrin e tyre në drejtësi.
A duhej shtet anëtare të ishin me te zëshme ndaj autoriteteve hungareze sa i përket vendimit për azil te ish kryeministrit Gruevski dhe mos ekstradimin e tij?
Nuk dua të flas në emër të shteteve të tjera anëtare por mund të them se qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë shumë i qartë në këtë drejtim. Duhet të ketë përgjegjësi për atë që ndodhi në Maqedonia, sundimi i ligjit është i rëndësishëm dhe ky rast duhej të merrte epilog final në Maqedoni.
Si do të ndikojë Brexit ndaj marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar?
Ne po dalim nga Bashkimi Evropian por jo nga Evropa. Jemi pjesë e NATO-s, fuqi globale, njëra nga pesë anëtaret e përhershme të Këshilli të Sigurimit të OKB-së. Maqedonia e sigurt, stabile dhe prosperuese ashtu sikurse Ballkani Perëndimor i sigurt, stabil dhe proesperues që është në interes të Bashkimit Evropian, është në interes edhe të Mbretërisë së Bashkuar. Vitin e kaluar dëshmuam se jemi të përkushtuar për këtë gjë, ne mirëpritëm Samitin e Ballkanit Perëndimor në Mbretërinë e Bashkuar, ku nënvizuam se dyfishojmë fondet dedikuar rajonit për 3 vitet e ardhshme. Dyfishojmë stafin që kemi në rajon dhe njëkohësisht kemi pasur vizita të shuma, të kryeministres, ministri për Europë dhe ky është 25 vjetori i marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë, pres që në 25 vitet e ardhshme marrëdhëniet tona të vijojnë të përforcohen.
Zonja Gallovej, Ju faleminderit për intervistën!
Faleminderit!
Semra Musai
Loading…


