Ligjet e ashtuquajtura reformuese filluan të marrin njëzëri pëlqimin e pushtetit dhe opozitës. Në seancën e parë plenare pas koordinimeve të grupeve të punës mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së u miratua ligji për formimin e Agjencisë Teknike Operative dhe ligji për ndjekjen e komunikimeve. Ndër ta u miratua edhe ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, i kërkuar disa herë nga Prokuroria Speciale.
Ndër zgjidhjet më të rëndësishme ky ligj parashikon që identiteti i dëshmitarëve në hetime të dihet vetëm nga prokurorja e lëndës dhe jo nga personat e tjerë të përfshirë në procesin hetues. Votimi ndërkohë është shtyrë për ligjet e jurisprudencës, njofton Medial.mk.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka anuluar votimin për ligjin plotësues të gjykatave në lexim të dytë si dhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për prokurorinë publike dhe procedurën penale, ata do të ricaktohen ditët në vijim. Shumica synon që ligjet të cilat kanë të bëjnë me reformat të miratohen deri më 15 prill, dy ditë para publikimit të raportit të progresit nga Komisioni Evropian. /Medial.mk/