Pushteti dhe opozita vazhduan përplasjen e argumenteve në Komisionin për Çështje Evropiane ku po diskutohet për ndryshimet ligjore në ligjin për marrëdhënie pune, pjesë e pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve. Sipas VMRO-DPMNE-së ky projektligj është kundërkushtetues. Ironia më e madhe është që për këtë ligj po keqpërdoret edhe flamuri evropian.
“Me këtë propozim-ligj nuk parashikoni kufi apo limit të punës jashtë orarit, në Maqedoni nuk do të miratohet vetëm 60 orë punë, por 72 orë. Dhe paramendoni, cili është argument i Qeverisë që e përdor para opinionit. Thonë mos u shqetësoni se puna jashtë orarit do të jetë e definuar me pajtueshmëri me shkrim nga punëtori.”, – deklaroi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
LSDM: VMRO, kundër projekteve strategjike
Këto pretendime të opozitës, deputetja e LSDM-së, Koleva, i quan banale. Sipas saj, përmes obstruksioneve nga më të ndryshmet VMRO-DPMNE po tenton të bllokojë çdo projekt që është në të mirë të qytetarëve.
“Askund në ligj nuk përmendet 60 orë apo 72 orë, kjo është shpikje e VMRO-DPMNE-së, që t’i frikësojë njerëzit, të cilët do të dëshirojnë të punojnë dhe për të cilët qartazi në ligj është përcaktuar se në çfarë mënyre do të rregullohet marrëdhënia e tyre e punës, me pajtueshmëri me shkrim do të mund të punojnë jashtë orarit, siç kanë mundur deri tani. Për projekte kyçe dhe me interes strategjik i miratojmë këto ndryshime, me flamur evropian për shkak se përballë nesh kemi një opozitë destruktive, që deri tani nuk ka mbështetur asnjë projekt strategjik.”, – theksoi Daniella Koleva nga LSDM.
BDI: U pengon, pasi punohet në anën shqiptare
E nga BDI thonë se qëllimi i bllokimit është krejt tjetër, të lihet zona veri-perëndimore e pazhvilluar.
“E dini pse ju pengojnë këta? Për shkak se për herë të parë ndodhin kësi lloj propozim-ligje. Juve nuk ju ka penguar kur ato zona edhe në demokraci edhe në të kaluarën kanë qenë pa plane urbanistike. Kur një fshat si Çegrani, më i madh se qyteti i Negotinës, ka mbetur fshat vetëm për shkak të burokracive juridike dhe ligjore të cilat janë bërë në këto anë. Nuk ju ka penguar kur në ato pjesë me ligje, pa ligje, me keqpërdorime të ligjeve janë prishur objekte.”, – u shpreh Bajram Kadrija nga BDI.
Qeveria dorëzoi në Kuvend pesë projektligje: ligjin për marrëdhëniet e punës, atë për planifikimin urban, për ndërtim, ligjin për shpronësimet dhe ligjin për përcaktimin e interesit publik, për t’u miratuar pas një procedure të shkurtuar, gjë që opozita e kundërshton ashpër.