Paketa e ligjeve për arsimin e lartë me shumë gjasa nuk do të procedohet para pushimeve verore të Kuvendit. Pas një kompromisi të përkohshëm mes pushtetit dhe BDI-së, shqyrtimi i tyre është shtyrë për në fund të gushtit, kur pritet të organizohet debat publik me profesorë, ekspertë dhe studentë, ndërsa vendimi përfundimtar për miratimin e tyre pritet në shtator. Megjithatë, opozita shqiptare paralajmëron se do t’i bllokojë ligjet nëse amendamentet e saj nuk pranohen, ndërsa, siç raportoi edhe “Sloboden Peçat”, BDI nga shtatori synon ta shtrijë bllokadën edhe te të gjitha ligjet që kërkojnë shumicën e Badenterit, për të dëshmuar se shumica qeverisëse nuk e ka të ashtuquajturën shumicë të dyfishtë, transmeton Portalb.mk.
BDI-ja kishte paralajmëruar se do të përdorë mekanizmin e Badenterit për të bllokuar ligjet që, sipas saj, cenojnë interesat e komuniteteve joshumicë dhe për të dëshmuar se koalicioni qeverisës nuk ka legjitimitetin etnik për të përfaqësuar shqiptarët. Nga ana tjetër, VLEN e ka akuzuar BDI-në se po pengon miratimin e ligjeve të rëndësishme për arsimin dhe përfaqësimin e drejtë vetëm për interesa politike.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Sloboden Peçat”, në koordinimin e zhvilluar te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe në takimin me kryetaren e Komisionit për Arsim, Ivanka Vasilevska, është arritur marrëveshje që BDI të heqë dorë përkohësisht nga bllokada e paketës së ligjeve. Në këmbim, shumica parlamentare ka pranuar kërkesën që për ligjet të organizohet debat publik, ku do të marrin pjesë profesorë universitarë, ekspertë dhe studentë.
Në seancën plenare u miratua vetëm rendi i ditës, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e ndërpreu seancën dhe njoftoi se deputetët do të informohen më vonë për vazhdimin e saj.
Koordinatorja e grupit parlamentar të BDI-së, Rina Ajdari, paralajmëroi se partia nuk do të tolerojë shkeljen e Rregullores së Kuvendit, duke iu referuar mënyrës së caktimit të seancave plenare dhe atyre të komisioneve. Gashi u përgjigj se Rregullorja respektohet dhe se, në rastet e seancave urgjente, materialet mund të shpërndahen edhe jashtë afateve të zakonshme.
Megjithëse bllokada është pezulluar përkohësisht, nga BDI thonë se kjo nuk nënkupton tërheqje nga qëndrimet e tyre. Ata presin që pas debatit publik pushteti të pranojë amendamentet e propozuara. Në të kundërtën, ligjet për standardin studentor, sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe shkencë, veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe arsimin e lartë do të bllokohen në Kuvend.
Paketa e ligjeve është shoqëruar me kritika të shumta edhe nga komuniteti akademik. Profesorë universitarë, Forumi për Ndryshime në Arsim dhe partitë opozitare kanë vlerësuar se disa nga zgjidhjet e propozuara cenojnë autonominë universitare dhe rrisin ndikimin politik në universitetet publike.
Projektligji për arsimin e lartë, i cili supozohet të zëvendësojë zgjidhjen aktuale ligjore, u prezantua nga ministrja e Arsimit, Vesna Janevska më 6 shkurt të këtij viti. Ndryshimet e propozuara kanë shkaktuar reagime në komunitetin akademik, por edhe nga partitë politike të opozitës, disa prej të cilave kanë kërkuar tërheqjen e ligjit të ri.
Ndërkohë, përplasja rreth shumicës së Badenterit vazhdon edhe për Ligjin për përfaqësim të drejtë. Ky ligj mbetet i bllokuar, pasi shumica parlamentare nuk disponon votat e nevojshme sipas interpretimit të opozitës. Edhe pse pushteti synon ta miratojë me të ashtuquajturin “Badenter i vogël”, BDI kundërshton këtë qasje dhe kërkon zbatimin e shumicës së plotë të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.



