Shoqata “Tradita”, e shënoi 139 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe e përkujtoi veprimtarinë e rilindësve, të patriotëve të vërtetë dhe të intelektualëve të mirëfilltë, që e zgjuan kombin, të punojë për të ardhmen e tij, ta shkruaj gjuhën shqipe, të hapë shkolla dhe të bëhet gati për ta realizuar ëndrrën shekullore të popullit shqiptar. Ishte edicioni i IV i Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, nga Shoqata për kulturë “Tradita”, të shtunën, në Tetovë.
“Ata ishin njerëz të mëdhenj dhe kishin gjoks të gjerë për të luftuar njëkohësisht në shumë fronte. Ekipi i tyre ishte i fortë dhe i pajisur me gjithçka, me pushkë e me penë, me poema e gramatika, me fjalorë, rapsodi popullore dhe harta politike. Sami dhe Abdyl Frashëri, De Rada, Vaso Pasha e Vretoja, Mitkoja e Kristoforidhi, Çajupi e Asdreni, e shumë e shumë të tjerë, me Naimin në krye, nuk zmbrapseshin përpara asgjëje kur ishte fjala për interesat e Atdheut”. Pas Lidhjes së Prizrenit dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, historia e shqiptare hyri në një fazë të re. Sigurisht, për këto dhe zhvillimet e mëvonshme historike e kanë thënë fjalën e tyre studiuesit e historiografisë sonë kombëtare”, tha kryetar i shoqatës Selam Sulejmani.
Edicionin IV të këtij manifestimi e përshëndeti edhe Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës të RM-së, Behixhudin Shehabi. Ai, këtë aktivitet e konsideroi të rëndësishëm dhe sipas tij na bën krenarë të gjithëve. “Një ngjarje, e cila na bën krenarë të gjithëve. Para 139 viteve në Prizren u mblodhën delegatët nga katër vilajetet e Shqipërisë: nga Janina, Kosova, Manastiri, nga Shkodra dhe kuptohet se ajo që mund të quhet si një vulë e atij kuvendi, është padyshim fjala e Abdyl Frashërit, i cili para delegatëve tha se tubimi sot, kuvendi sot, është një përpjekje, është një ngjarje që ne të gjithë ta presim hovin e armikut të pashpirt dhe i cili do të shfaros çdo gjë që është vlerë shqiptare dhe e mbetur ndër shekuj dhe brez pas brezi”, u shpreh mes tjerash Behixhudin Shehabi.
Shpëtim Pollozhani, si dhe veprimtarë të njohur çështjes kombëtare nga Republika e Kosovës, ne mesin e tyre Avni Dehari dhe Hydajet Hyseini, ishin të pranishëm, ku edhe e vlerësuan lartë shënimin e kësaj ngjarje historike që përbën kthesën vendimtare të vetëdijes dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare.
“I duhen kombit tonë stimulansë të tillë, për ta amplifikuar edhe energjinë, për ta kthjelluar edhe shikimin përpara sipas asaj përvojës së figurës mitologjike të Janusit: një sy para, një sy pas. Në kushtet tona madje ndoshta, një sy pas e katër sy para. Rruga jonë, siç ka qenë edhe në të kaluarën, vazhdon të jetë e ndërlikuar, e përballur me sfida të shumta, madje edhe me gracka të ndryshme e tjera. Po tani, duke sintetizuar përvojën e të parëve tanë, në të cilën Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën vërtetë kthesën vendimtare, themeltare të vetëdijes dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare, që vazhdon të rrezatojë dhe të frymëzojë brezat, kemi grumbulluar përvojën e mjaftueshme që në këtë rrugë të ecim, pa u ngutur dhe pa u ndalur”, deklaroi Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të burgosurve politikë të Kosovës.
Çmimi kombëtar “Ali Vishko”, i cili ndahet për herë të tretë, për vitin 2017, nga shoqata “Tradita”, ju dha Prof. Dr. Tahir Zajazit, me motivacionin për veprimtari jetësore dhe arritje të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptar. Ndërsa, për qëndresën përballë politikës hegjemoniste sllave, për synimet politike, historike, për lirinë dhe demokracinë e popullit shqiptar, Shoqata për kulturë “Tradita”, u ndau mirënjohje veprimtarëve të kombit, si: simbolit të rezistencës shqiptare, Rafi Halilit, Hydajet Hysenit – Kryetar i Shoqatës së të burgosurve politikë të Kosovës, Memetriza Murtezanit – Gega, (pas ndarjes nga jeta), Shoqatës së të burgosurve dhe të dëmtuarve politikë shqiptarë në Maqedoni, Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, Azem Moranës, (pas ndarjes nga jeta), Sadudin Gjurës, (pas ndarjes nga jeta), Zaim Beqirit, (pas ndarjes nga jeta), Faik Mustafës, (pas ndarjes nga jeta), Shaban Xheladinit, (pas ndarjes nga jeta) dhe veprimtarit të njohur Rahim Nezirit.
Programin e manifestimit kulturor të këtij viti e madhështoi Kori i Shoqatës “Miqtë e muzikës”, “Rozafa Expression” nga qyteti i Shkodrës, Republika e Shqipërisë, i cili nën udhëheqjen e mjeshtrit artistik Profesor Zef Çoba, solli në skenë pika të shkëlqyera artistike, si: “Atdheu ne na fton”, (kënga e luftëtarëve të Skënderbeut, nga muzika e filmit “Skenderbeu’’) nga Çesk Zadeja, “Të falemi o dhe”, nga Rauf Dhomi dhe Gjergj Fishta – “Hymni i Flamurit”, nga Lec Kurti.
Në këtë manifestim u mbajt edhe konferenca shkencore, me temë: “Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë”.
Në këtë konferencë morën pjesë mbi 20 punonjës shkencorë, njohës të mirëfilltë të proceseve shoqërore që janë zhvilluar në vendin tonë, të cilët me autoritetin dhe integritetin e tyre intelektual ju qasën gjithë problematikës që trajtoi konferenca e sotme shkencore.
Konferenca shkencore i trajtoi këto ngjarje: Proceset politike ndaj atdhetarëve shqiptarë në Maqedoni në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore deri në ditët tona; Ngritjen e Flamurit kombëtar në Tetovë, në vitin 1968; Demonstratat në Kosovë në vitin 1981 dhe reflektimin e tyre në trojet shqiptare në Maqedoni; Dhunën e pushtetit ndaj shqiptarëve në Maqedoni gjatë periudhës së pluralizmit; Represionin e pushtetit me rastin e themelimit të Universitetit të Tetovës, në vitin 1994 dhe 1995; Qëndrimin e shtetit shqiptar lidhur me politikën represive të pushtetit ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe Qëndrimin e faktorit ndërkombëtar ndaj dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve në Maqedoni.
Kryetari i Këshillit organizues të Konferencës shkencore, profesor Xhelal Zejneli nënviëzoi se organizimi i konferencës ka për qëllim që të hedhë dritë në një pjesë tejet të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar në Maqedoni, si pjesë e pandarë e historisë sonë kombëtare.
D.K
Almakos.com